Home LAJME Mustafa: Mbetem në PDK, ata që shkuan në Nismë, mendjelehtë

Mustafa: Mbetem në PDK, ata që shkuan në Nismë, mendjelehtë

Ish kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se, aderimet e fundit të disa anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, në “Nisma për Kosovën”, tregojnë për një mendjelehtësi të atyre të cilët e ndërmorën këtë veprim.

Sipas tij, pavarësisht se një shtëpi politike mund të ketë telashe, pjesëtarët e saj duhet të ballafaqohen me to dhe të angazhohen për zgjidhjen e tyre.

“Të them të drejtën edhe unë kam marrë oferta, por jo direkt, kanë qenë indirekt për tu bërë pjesë e këtij formacioni politik. Mirëpo, unë i mbetem besnik PDK-së dhe nuk do të larohem nga partia. Nuk është e vërtetë se është i madh numri i atyre të cilët kaluan nga PDK-ja në Gjilan në ‘Nisma për Kosovën’. Janë vetëm tre persona, dhe ata janë kryetarë të nëndegëve. Mbi të gjitha mendoj se është plotësisht demokratike që dikush i pakënaqur me një parti politike, t’i bashkohet një subjekti tjetër politik”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se, një numër i madh i aktivistëve të PDK-së tashmë kanë konfirmuar aderimin në këtë subjekt politik.

Endrit Shala, këshilltar politik i Fatmir Limajt, ka deklaruar në media se emra si: Nexhat Hajrullahu, Refik Hasani, Shaqir Ukshini, Ridvan Xhemajli, Fatmir Daku, Bajram Hasani, e të tjerë kanë aderuar në “Nisma për Kosovën”, duke shtuar që presin që edhe emra të tjerë dhe me ndikim në Gjilan t`i bashkohen Nismës.

Previous articleEULEX-i arreston një serb, dyshohet për krime lufte
Next articleKinë: Lind fëmija me katër këmbë e katër duar (+16)