Home LAJME Mustafa priti shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i...

Mustafa priti shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti  në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa pranoi urimet për zgjedhjen e tij si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe siguroi se do të ketë përkrahjen e parezervë të Bashkimit Evropian në zbatimin e plotë të prioriteteve dhe objektivave qeveritare.

Kryeministri Mustafa ka vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe që Zyra e BE-së ka dhënë për proceset në Kosovë.
Siç njofton kumtesa nga Qeveria, Kryeministri po ashtu ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për t’u angazhuar fuqishëm në adresimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me proceset integruese evropiane.

Gjatë takimit, ndër të tjera u diskutua edhe për rëndësinë dhe përkrahjen që duhet ofruar në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, në veçanti.

Kryeministri Mustafa dhe shefi i Zyrës së BE-së, Zhbogar kanë biseduar edhe për procesin e dialogut dhe nënshkrimin e Marrëveshjes se Stabilizim-Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar potencoi se katër vitet e ardhshme do të jenë shumë sfiduese pasi Kosova duhet të bëjë reforma strukturore të domosdoshme për zhvillim ekonomik, përmirësim të rendit dhe ligjit dhe administratës publike, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve dhe për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.

Zhbogar e mirëpriti identifikimin e prioriteteve kryesore nga ana e Qeverisë dhe shprehu mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian/PSBE në arritjen e një progresi të prekshëm në këto objektiva.

Previous articleThaçi: Vizita e Vuçiç në Kosovë, normale, duhet t’i intensifikojmë vizitat
Next articleProtesta kundër faturave “të fryra” të KEDS’it përmes fotografive