Home LAJME “Ndal diskriminimin, është fëmija im”

“Ndal diskriminimin, është fëmija im”

Me moton “Ndal diskriminimin, është fëmija im”, komuniteti i personave me Sindromin Down, kanë protestuar, duke shprehur kështu pakënaqësinë e tyre për trajtimi jo të duhur, që po u bëhet atyre nga ana e institucioneve.

Protesta u mbajt pikërisht në ditën ndërkombëtare të personave të prekur me këtë sindrom. Prindërit së bashku me fëmijët e tyre, të prekur nga Sindromi Down, e të cilët mbanin në duar pankartat “Mos na paragjykoni” dhe “ Duam mbrojtje ligjore”, marshuan në sheshin Nëna Terezë, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe mbrojtje ligjore.

Ajnishahe Azemi, e cila kishte djalin e saj 27 vjeçar, të prekur nga ky sindrom thotë se duhet të ndalet diskriminimi ndaj këtyre personave e po ashtu dhe ndaj prindërve të tyre. Ajo thotë se nuk e ka të vështirë aspak që të merret me djalin e saj, i cili është me këtë sindrom, pasi që sipas saj, në raste të tilla, dëshmohen vlerat tona njerëzore si prind dhe si qytetar. Ajo kërkon nga institucionet e vendit, që të bëjnë me tepër për personat me Down Sindorm, duke pohuar që deri më tani përkrahja institucionale ka munguar.

“Qëllimi jonë është, ndalja e diskriminimit ndaj këtyre fëmijëve. Të trajtohemi në mënyrë të barabartë, fëmijët dhe prindërit e tyre. Normalisht, të trajtohemi në mënyrë ligjore, jo vetëm me fjalë dhe premtime. Jam një prej atyre që ndoshta nga viti 1994, çdo strukturë shtetërore e kam kontaktuar, por deri më tani kanë bërë shumë pak. Presim në të ardhmen, që të gjitha nivelet politike, të bëjnë më tepër për këtë”, theksoi ajo.

Edhe Leonora Shabani- Bajraktari, udhëheqëse e grupit mbështetës të prindërve, në kuadër të organizatës “Down Syndrom Kosova”, u bëri apel institucioneve të vendit, që t’i përmbushin kërkesat e prindërve, të cilët i kanë të prekur fëmijët e tyre me këtë sindrom. Ajo madje theksoi se nuk do të lejojnë nga institucionet, që dhe më tej t’i diskriminojnë fëmijët e tyre.

“Bëjmë apel, institucioneve të Kosovës, që t’i përmbushin kërkesat e prindërve, që kanë fëmijët e prekur me Down Sindrom. Ku të punësojnë 100 asistente për fëmijët tanë, nëpër shkolla të rregullta. Gjithashtu të iniciohet ligji për njohjen e kujdestarisë të nënave, të cilat i kanë fëmijët e prekur me Down Sindrom. Të hartohen libra adekuatë për fëmijët tanë, sepse nuk kanë libra adekuatë fëmijët që janë të prekur me Down Sindrom dhe të ndihmojnë organizatat që janë aktive…Ne si prindër nuk lejojmë më që institucionet e Kosovës, t’i diskriminojnë fëmijët tanë. Sepse jemi ne vet prindërit, ata që i përkrahim fëmijët tanë“, tha ajo.

Ndërsa, Sebahate Beqiri, zv/drejtoreshë e Organizatës “Down Syndrome Kosova”, thotë se brengosës mbetet numri i fëmijëve të prekur me këtë sindorm, e i cili nga viti në vit po rritet.

“Deri më tani, në bazë të statistikave që posedon organizata, kemi mbi 716 persona të prekur me Down Syndrome në gjithë Kosovën. Mirëpo çdo ditë kemi raste të reja, që na paraqiten. Çka është brengosëse, vërehet se këto vitet e fundit, është rritur dukshëm numri i foshnjave, që lindin të prekura me Down Syndorme. Në këto 5 vitet e fundit, sillet nga 25 deri në 35 foshnje, lindin në vit të prekura me Down Syndorme…Gjithashtu deri më tani, i kemi të identifikuara në tri vitet e fundit, numri i fëmijëve që kanë vdekur sillet nga 20 deri në 25, për shkak të mos ndërhyrjes kirurgjike, që kanë pasur nevojë për trajtim jashtë vendit”, tha Beqiri.

Ndryshe, kjo protestë, ka shënuar dhe përmbylljen e aktiviteteve të javës së ndërgjegjësimit dhe se është mbajtur pikërisht me 21 mars, në shënimin e ditës botërore të personave të prekur me Downsyndrome

Previous articleOVL e UÇK-së, kundër Tribunalit jashtë sistemit juridik të Kosovës
Next articleZbulohen rezerva ari në rrethin e Mirditës