Home LAJME Nderohet Presidenti Rugova, kreatori institucional i pavarësisë së Kosovës.Mustafa: Rugova na la...

Nderohet Presidenti Rugova, kreatori institucional i pavarësisë së Kosovës.Mustafa: Rugova na la kur po përmbyllej profecia e tij

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në fjalimin e tij në akademinë përkujtimore të Presidentit Rugova ka thënë se çdo 21 janar, Republika e Kosovës e përkujton me nderim të veçantë Prijësin e saj, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili na la në kohën kur po përmbyllej përmbushja e profecisë së tij, kur po bëhej realitet pavarësia e Kosovës.

Fjala e tij e plotë:

Fjala e Kryeministrit të Kosovës, Dr. Isa Mustafa, në ditën e përkujtimit të Presidentit Rugova
E nderuara Familje e Presidentit Rugova,

Të nderuar anëtarë të Kuvendit, të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarë të Kryesisë,kryetarë të degëve, verprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së

Të nderuar deputetë, ministra, kryetarë të komunave dhe udhëheqës së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar anëtarë të ASHAK-ut
Të nderuar ambasadorë të akredituar në Kosovë,
Të ndëruar familjarë të veprimtarëve të LDK-së,
Zonja dhe Zotërinj,
Janari ka qenë prore i acartë për popullin shqiptar. Janari është muaji që na ka sjellë shumë vuajtje e pikëllim. Mbase, si për ta paralajmëruar gjëmën e madhe, në të cilën do të përfundonte mbi pesë shekuj populli i tij, mbreti i parë i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ndërroi jetë më 17 janar. Në këtë muaj u shuan edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe dëshmorët Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Në janar humbëm edhe publicistin Enver Maloku, luftëtarin e lirisë Kolonel Tahir Zemaj, me të birin Enisin dhe kushëririn e tyre, Hasan Zemaj.

Datat tronditëse të këtij muaji janë të shumta. Në janar kujtojmë gjenocidin serb të vitit 1920 në fshatrat e Gollakut dhe atë të vitit 1999, në Reçak të Shtimes.

Qe nëntë vjet, çdo 21 janar, Republika e Kosovës e përkujton me nderim të veçantë Prijësin e saj, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili na la në kohën kur po përmbyllej përmbushja e profecisë së tij, kur po bëhej realitet pavarësia e Kosovës.

“Kosova është de facto e pavarur nga qershori i vitit 1999, na duhet njohja ndërkombëtare”, – e përsëriste shpesh Presidenti Rugova pas luftës së viteve 1998-’99. Nëntë vjet pas shkuarjes së Tij në amshim, ne mund të themi se vizioni i Rugovës është përmbushur: Kosova është e lirë, e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht anekënd globit!

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Zonja dhe zotërinj,

Prijësit e mëdhenj shpesh mbesin të pakuptuar nga bashkëkohanikët e vet. Gjatë historisë së njerëzimit, shumë prijës të urtë e vizionarë nuk janë kuptuar sa e si duhet pikërisht për shkak të ideve të tyre të mëdha, për shkak të botëkuptimeve që bënin ndryshimin. Shekulli XX njohu disa shembuj të tillë. Gandi predikonte paqen e mosdhunën ndaj anglezëve, duke rrezikuar moskuptimin e madh nga indianët e vet.

Martin Luther Kingu angazhohej për pajtim e barazi, në kohën kur ndarja racore në ShBA ende ishte shumë e fortë. Strategjia e tij paqësore shpesh nuk gjente mirëkuptimin e amerikanëve me ngjyrë, të cilët nuk besonin se zgjidhja mund të arrihej me metoda paqësore. Edhe Nelson Mandela u keqkuptua dhe u vu në thumb të kritikës nga bashkëkombësit e tij jugafrikanë pikërisht pse bënte thirrje për zgjidhje paqësore të çështjeve të pambyllura pas aparteidit të gjatë në vendin e tij.

Presidenti Rugova u bë zëri më kumbues i paqes në një rajon historikisht luftënxitës dhe plot urrejtje, sepse asnjëherë të vetme nuk hoqi dorë nga filozofia e tij, nga besimi i tij – paqja!

Pa dyshim, shekulli XX pati plot liderë botërorë, të cilët, me karizmën që i shquante, u bënë shumë popullor në vendet e tyre, duke siguruar edhe famën dhe admirimin në skenën botërore. Mirëpo, vetëm pak kohë pas mbarimit të atij shekulli të përgjakshëm, askush nuk kujtohet me më shumë pietet e lavdi sesa ikonat e paqes e të faljes, Gandi, Kingu e Mandela.

Për fatin tonë të mbarë, Prijësi ynë, burrështetasi i parë i Republikës së Kosovës, shëmbëllen fuqishëm me figura të tilla madhështore si Gandi, Kingu e Mandela, të cilët janë dhe do të mbeten gjithmonë simbole shkëlqyese të humanizmit, të dashurisë dhe paqes në mes njerëzve e popujve.

Presidenti Rugova është vlerësuar lart nga të gjitha personalitetet më të njohura të skenës politike ndërkombëtare, si Presidenti Klinton e Presidenti Bush, Kryeministri Bler, Presidenti Shirak, Kryeministri D’Alema, Shefi i Politikës së Jashme i BE-së, Javier Solana etj., pikërisht për veçantinë e të kuptuarit dhe të bërjes së politikës në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Ish-Presidenti i Çekisë, Vaclav Havel, në letrën falënderuese për dekorimin me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”, të cilën ia kishte dhënë Presidenti Sejdiu, shkruante: “Është nder për mua që të jem personi i parë që shpërblehet me Medaljen e Artë, e cila e mban emrin e një personaliteti të shquar të historisë së shtetit tuaj të ri. Unë kam qenë shumë i lidhur me dr. Ibrahim Rugovën, me lidhje të miqësisë. Ai ishte partner në të cilin shtetet perëndimore i kishin vënë shpresat e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim demokratik për mbarë rajonin”.
Ibrahim Rugova, njeriu i epokave, si e quante miku ynë i madh, Ambasadori i Nderit, Robert Dole, nuk hoqi dorë asnjëherë nga ligjërimi i tij, nga predikimi i paqes, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Durimi i tij i mahnitshëm sot shpërfaqet edhe më madhështor, sepse, vetëm nga perspektiva e tanishme, mund ta kuptojmë edhe më mirë se sa vështirë e kishte ai, në vitet ’90, të fliste për paqen dhe për pajtimin e popujve në Ballkanin Perëndimor, i cili tashmë ishte bërë arenë e luftës dhe e krimeve mizore ndaj popujve joserbë të ish-federatës jugosllave.

Prandaj, urtësia, qëndrueshmëria, guximi dhe vendosmëria për të mos hequr kurrë dorë nga platforma nacionale: Kosova e pavarur, paqësore e demokratike, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballë presionit jo të vogël, po sidomos përballë faktit se popullit të tij i kanosej një gjenocid shfarosës, sot marrin vlerë tjetër, marrin vlerë të re, sepse pjesa dërmuese e ideve të tij politike janë përmbushur ose janë në rrugë të mirë për t’u përmbyllur njëherë e përgjithmonë.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Zonja dhe zotërinj,

Ibrahim Rugova, studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, la një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar doli në ballë të lëvizjes sonë të madhe për liri, pavarësi e demokraci, formoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe vuri bazat e shtetit modern të Kosovës. E gjithë kjo, në kohën e një pushtimi të egër e gjeocidial, në kohën e rrezikut permanent për zhbërjen fizike të popullit të tij të okupuar.

Rugova, i palëkundur në vizionin e tij politik, shpejt u bë emblemë e lëvizjes intelektuale në politikë, ndërsa fryma e tij, duke rizbuluar vlerat më sublime të traditës sonë të lashtë, mbolli përgjithmonë në këtë vend frymën e demokracisë e të qytetërimit europerëndimor.

Koncepti politik i Rugovës ishte unik. Tashmë mund të flasim për rugovizmin, si frymë unike politike, si frymë që rezultatin synon ta arrijë duke u bazuar në vlera, e jo në detyrim. Rugova, poet, kritik e studiues letrar, mendimtar e humanist i rrallë i Prishtinës, u bë jo vetëm simbol i Kosovës, po, për më tepër, simbol i një lëvizjeje të re, të një modeli sui generis në Evropën e fundshekullit XX.

Përballë dhunës e terrorit, Presidenti Rugova përqafoi e përhapi paqen. Kështu, ai iu përgjigj terrorit afër njëshekullor serb kundër shqiptarëve të Kosovës, duke bërë që bota demokratike të shfaqte gjithë simpatinë e saj për këtë formë të rezistencës. Rugova, 16 vjet me radhë, sa luajti rolin e Prijësit të Kosovës, artikuloi me urtësi e vendosmëri qëndrimin politik të shqiptarëve dhe të popullit të Kosovës për liri dhe demokraci, për një shtet të pavarur e sovran, për një shtet të rendit e të ligjit, në të cilin do të respektohen të gjithë njësoj pa dallim etnie apo besimi.

Po ashtu, dr. Ibrahim Rugova, në rrethana shumë të vështira, ndërtoi struktura të qëndrueshme të Republikës së Kosovës, të cilat patën rol shumë të rëndësishëm edhe në organizimin e rezistencës sonë për çlirim.

Bashkë me konsistencën e tij për organizimin e brendshëm të rezistencës dhe ruajtjes së substancës së qenies sonë, Presidenti Rugova u angazhua edhe në planin diplomatik, duke e ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në shkallë të çështjes globale. Së këndejmi, miqësia që krijoi Ai me burrështetasit e kohës në Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin, Vjenë e Bruksel, pati rëndësi jetike për shpëtimin fizik të popullit të Kosovës dhe për çlirimin përfundimtar nga okupimi.

E nderuara Familje e Presidentit Rugova,

Të dashur miq e bashkëpunëtorë të tij,

Zonja dhe Zotërinj:

Që në gjallje, Presidenti Rugova mori shumë mirënjohje e dekorata prestigjioze ndërkombëtare, Por, pa dyshim, mirënjohja më e madhe që mori Ai ishte besimi i palëkundshëm i popullit të Kosovës, i cili asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk e braktisi Prijësin e vet.

Bindja e popullit të Kosovës ndaj Presidentit Rugova, para së gjithash, u arrit në shenjë të besimit të madh që ky popull kishte krijuar për të.

Urtësia e tij, vizioni dhe qëndrueshmëria politike e shndërruan Rugovën e urtë, liderin e brishtë të një populli të vogël, në një figurë të pakrahasueshme të lidhjes dhe të identifikimit të Popullit me Prijësin.

Madhështia e këtij identifikimi qëndron pikërisht në mënyrën e krijimit të tij; një identifikim që u bë pakt i pathyeshëm në mes qytetarëve dhe Prijësit, një identifikim që në mënyrë plebishitare u ripohua edhe pas vdekjes së Presidentit Rugova, më 21 janar 2006, kur nisi pelegrinazhi i të gjithë popullit të Kosovës drejt ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për t’ia dhënë nderimin e fundit njeriut që e projektoi dhe e predikoi shtetin e lirë, të pavarur dhe sovran të Kosovës, edhe kur kjo tingëllonte më shumë si një utopi, sesa si një projekt pragmatik politik.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Jemi këtu sot ne, familja e madhe LDK , që është forcë kryesore politike në Kosovë, e cila në këtë ditë kujton njerun e saj, jo vetëm si Presidentin shumëvjeçar të vendit dhe si Kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por para së gjithash si njeriun i cili me menqurinë, thjeshtësinë, dijen dhe ngrohtësinë e tij e mbajti afër popullin me shpresë për liri, në ditët më të vështira të fundshekullit të kaluar.

Rugova besonte në Kosovën, ai kishte idealin e tij për të ardhmen, por të ardhmen nuk e idealizonte. Ishte njeri që mishërohej me realitetin dhe jepten shpresë për ndryshimin e tij.

Këtë shpresë neve po e ndërtojmë edhe sot. Të ballafaquar me shumë sfida, LDK tregoi vendoshmërinë për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit.

Përgjegjësinë për të siguruar një jetë më të mirë për qyetetarët e saj, për ta forcuar shtetin e së drejtës i cili do të zbardhë e do të sjellë para drejtësisë gjithë ata që kryen krime dhe që po kryejnë krime.

Rugova fliste me gjuhën e tij të letrarit e kritikut, por me mendjen e liderit, për projektet zhvillimore të Kosovës, flise për veçoritë tona ekonomike, me të cilat do të dallonim nga tjerët, për gjeneratën e re e të vyeshme, per tokën e plleshme e arat që duhet të punohen, kultivonte me dashurinë më të madhe kristalet e Trepçës, dhe disa nga to ua dhuronte miqëve të tijë botërore.

Ne jemi të përkushtuar ta punojmë këtë tokë, të ngrisim fabrikat tona, të punësojmë njerëzit tanë, të aktivizojmë minierat tona, të zhvillojmë ekonominë tonë. Ne e kemi të qartë se tokat e Kosovës janë tokat tona, se minierat e Kosovës janë minierat tona, se pasuritë e këtij vendi u takojnë qytetarëve të Kosovës. Lakmia e tjerëve, nuk e rrezikonë pronën tonë, por veq se tregon se sa e vlefshme është ajo dhe sesa shumë meriton të kultivohet nga vet ne.

Të nderuar të pranishëm,

Sot nëntë vjet Rugova shkoi në amshim, por pas veti la shtetin e Kosovës, këtë vepër të madhe, një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, e la lirinë, pavarësinë dhe hapësirën e zhvillimit demokratik. Na la miqësinë dhe respektin me popuj dhe vende nga më të ndryshme. Na la këtë vepër, të cilën ne kemi përgjegjësi ta vazhdojmë e respektojmë.

Respekti për figurën dhe veprën e tij rritet ashtu si largohet koha nga dita dhimbshme kur u nda nga ne, duke lënë shumë nga fryma e tij mjedis nesh, nga kultura e sjelljes, toleranca dhe urtësia demokratike.

Ndaj, edhe ritheksojmë, Rugova është krijuesi i Republikës së Kosovës, është engjëlli i saj mbrojtës!
Zoti e bekoftë Presidentin Rugova!

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

Zoti i bekoftë miqtë tanë!

Me rastin e 9 vjetorit të vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova po mbahet akademia përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Në këtë akademi po marrin pjesë njerëz të LDK-së, familjarë e miq, për të nderuar figurën e Presidentit Rugova

Previous articleSejdiu: Presidenti Rugova është gurë themeltar në ndërtimin e shtetit të Kosovës
Next articleSekretari i Përgjithshëm i NATO’s nesër në Kosovë