Nënshkruhen shtatë marrëveshje mes Shqipërisë e Kosovës

Ka përfunduar  mbledhja dhe konferenca për medie nga dy qeveritë asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në të cilën janë zhvilluar një varg diskutimesh ndërmjet delegacioneve të përfaqësuesve përkatëse të ministrive rreth shtatë marrëveshjeve të nënshkruara.

Pas përfundimit të diskutimit për marrëveshjet, kryeministri Mustafa tha se nuk e ka pritur që të ketë kaq shumë marrëveshje të nënshkruara me Shqipërinë, duke e marrë si përgjegjësi nisjen e bashkëpunimit të ri me Shqipërinë.

“Shpreh përkushtimin e plote te Qeverisë te vazhdojmë bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë”, tha Mustafa.

E, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se për një periudhë të shkurtër janë bërë shumë gjëra të rëndësishme në konsolidimin e hapësirës së përbashkët.

“Me e rëndësishmja është që është zhvilluar një vetiniciative nga ana e ministrive për bashkëpunim. Kemi shumë gjëra për te ndarë së basku dhe përfitime konkrete në marrëdhëniet tregtare si rezultat i masave që kemi ndërmarrë”, tha Rama.

Në takimin mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” janë nënshkruar shtatë marrëveshje.

Marrëveshjet që janë nënshkruar sot në mes dy qeverive janë Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjellë të Certifikatës së Testimit/kalibrimit të Tahografit të Mjeteve Rrugore, Marrëveshja për Bashkëpunim në mes të autoriteteve tatimore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore, Marrëveshja për Krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese, Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike te Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave ne fushën e Mirëqeverisjes dhe administrimit publik, marrëveshja për Partneritet për Bashkëpunimin Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor te Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë, si dhe Memorandumi Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë se Republikës së Shqipërisë.

Nënshkruhen shtatë marrëveshje mes Shqipërisë e Kosovës