Home LAJME Nesër në Maqedoni zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

Nesër në Maqedoni zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

Në Maqedoni nesër do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Në mesnatë ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore dhe se partitë politike i kanë dhënë fund fushatës 30 ditëshe, por me një ndërprerje më 13 dhe 14 prill, për shkak të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Për herë të parë në këtë vend nga periudha e pavarësimit po zhvillohen me një datë dy palë zgjedhje.

Në Maqedoni në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit dhe për raundin e dytë të presidencialeve do të votojnë 1.780.128 votues në gjashtë njësitë zgjedhore, ku do të zgjidhen 120 deputetët e ardhshëm të Parlamentit.

Por njëkohësisht qytetarët do të votojnë edhe për dy kandidatët për president Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM.

Votimet për zgjedhjet parlamentare, por edhe balotazhin e presidencialeve do të zhvillohen edhe në diasporë, nga ku do të zgjidhen 3 deputetë në 3 njësi zgjedhore: Evropë, SHBA – Kanada dhe Australi. Diaspora do të votojë sot me 26 prill, me ç’rast 27.828 votues të lajmëruar do të votojnë për zgjedhjen e 3 deputetëve, transmeton INA.

Kjo shifër është dyfisht më e lartë se sa për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit, gjegjësisht në raundin e parë ku ishin regjistruar 8.332 votues.

Sot do të votojnë edhe kategoritë e të burgosurve në vend, personat e pa aftë fizikisht dhe të shpërngulurit brenda vendit. Numri i të burgosurve që do të votojnë për zgjedhjet parlamentare është 1.843, të shpërngulur brenda vendit janë 38 veta, etj.

Këto zgjedhje gjithashtu do të kenë numër më të madh edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendor, 9197 vëzhgues vendor dhe 489 vëzhgues të huaj, por pritet që ky numër të jetë edhe më i madh për shkak të vazhdimit të afatit deri në javën tjetër.

Previous articleTë mos sakrifikohet FAK-u, shkaku i vendeve të rezervuara tha Vllasi
Next article31 të vrarë gjatë një mitingu elektora në Irak