Nga 15 qershori qytetarët e BE-së pa roaming

Eurodeputetët me votimin e të enjtes hoqën edhe pengesën e fundit në rrugën për heqjen e tërësishme të roamingut për qytetarët e Bashkimit Evropian.

Andrus Ansip, zv/president i Komisionit Evropian të enjten tha se që nga 15 qershori “njerëzit do të mund të përdorin shërbimet e telefonisë mobile, veçanërisht transmetimin e të dhënave, pa pasur frikë për faturat e larta, me rastin e udhëtimit në Bashkimin Evropian”.

Parlamenti Evropian, siç raporton trt, miratoi tekstin, tashmë të rënë dakord në mënyrë joformale me Këshillin, me 549 vota për, 27 kundër dhe 50 abstenime.

Draft rregullorja përcakton kufijtë e shumës që operatorët duhet ti paguajnë njëri-tjetrit për përdorimin e rrjeteve të tyre për ofrimin e shërbimit të roamingut. Brenda saj janë përfshirë thirrjet, mesazhet me tekst dhe përdorimi i të dhënave. Çmimet me shumicë të roaming-ut ndikojnë drejtpërdrejt në llogaritë përfundimtare të konsumatorëve.

Deri më tani, qytetarët e BE-së ishin të detyruar të paguanin shpenzime të konsiderueshme për përdorimin e roaming-ut gjatë vizitës në shtetet e tjera anëtare të bllokut evropian.