Balkanweb njofton se avioni që u rrëzua në Divjakë ka pasur ngarkesë me vete të cilën e morën disa persona me makina, ndërkohë që Ministria e Brendshme theksoi se ngarkesa në makina do të ngarkohej në avion.
Dëshminë e re, që bie ndesh me versionin e policisë e jep për BalkanWeb një dëshmitar okular. Ai quhet Lenci, një djalë i ri që thotë se ka qenë aty që në momentin kur avioni u shfaq dhe u rrëzua në rërën e plazhit. Djali ka realizuar foto në çastin kur avioni është rrëzuar në rërën e Divjakës.
Ai ka frikë, nuk dëshiron të identifikohet si dëshmitar okular, por vë në dispozicion foto që dëshmojnë çfarë ndodhi pak çaste pas rrëzimit së avionit tip ‘Piper’. Në foto vihen re qartë disa persona që mbajnë në duar çanta të zeza. Dhe personat janë të veshur me të zeza gjithashtu. Ndërsa një automjet tip ‘Golf’ qëndron pak metra larg avionit. Ja dëshmia e tij:
“Ishim ne atje në atë kohë dhe qëlloi që sa erdhëm nga Lushnja për të pirë ndonjë birrë dhe kur shohim ne po binte ky (avioni) po bënte kshu domethënë si njeri i dehur ..më pas e shohim ne, se bie ky avion afër plazhit dhe dalin dy veta nga aeroplani. Njëri prej tyre nxjerr celularin me vrap, vjen një Golf dysh i pari. Më pas vijnë 6 Mitsubishi, dy të zinj dhe katër gri, ngarkohen këta të gjithë po nuk mundëm t’i kapnim dot ne; dhe këto mezi i kemi kap se na përzunë sa erdhën makinat. Ndenjëm aty afër deri kur erdhi policia. Policia erdhi 2 orë e 30 minuta me vonesë”.