Home SHOWBIZ Nis plot shkëlqim Java e modës në Kosovë

Nis plot shkëlqim Java e modës në Kosovë

Në natën e parë të Kosova International Fashion Week 2014, janë prezantuar kreacionet ekskluzive të “White Sposa”, kreatores së njohur Blerina Kllokoqi-Rugova, shtëpisë së modës “Menakon” dhe kreatores Linda Metaj-Tafa. Edicioni i gjashtë i Javës së modës në Kosovë, organizuar nga Gecjan Fashion Group, vazhdon edhe sonte në ambientet madhështore të Swiss Diamond Hotel Prishtina.

“White Sposa” me 21 kreacionet e tyre i shtuan hijeshinë hapjes së natës së parë të Javës së Modës në Kosovë. Në koleksionet e tyre dominuan vellot e nusërisë dhe ngjyra e bardhë plot shkëlqim. Ndërkaq, shtëpia e modës “Menakon” vazhdon të befasojë adhuruesit e modës me stilin dhe trendet origjinale që i krijon me plot imagjinatë duke vazhduar t’i mbajë koleksionet e veta tejet të pëlqyera e të vlerësuara.

Kreatorja Linda Metaj-Tafa me pjesëmarrjen e saj për herë të parë në Javën e modës në Kosovë arriti të befasojë të pranishmit dhe adhuruesit e modës duke prezantuar koleksionin e saj prej 21 fustaneve me plot ngjyra, stil e elegancë.

Për t’i shtuar madhështinë dhe freskuar atmosferën në Kosova International Fashion Week u përkujdes këngëtari Hekuran Krasniqi, i cili performoi në pasarelen e Javës së modës me dy këngë, një nga to u shfaq për herë të parë në këtë natë.

Brendet më të fundit të kreatores Blerina Kllokoqi-Rugova u përkujdesen për një mbyllje dinjitoze e madhështore të natës së parë të Javës së modës. Kllokoqi-Rugova vazhdon edhe më tutje që me idetë e saj të lartësojë modën kosovare në nivele ndërkombëtare. Ajo përmes koleksionit të prezantuar këtë mbrëmje shpalosi trendet më të fundit të modës duke orientuar tendencat e saj në vazhdim.

Producenti i Gecjan Fashion Group dhe organizatori i Javës së modës në Kosovë, Ilir Geci, u shpreh mjaft i kënaqur në fund të natës së parë duke vlerësuar punën e madhe të kreatorëve dhe entuziazmin e adhuruesve të modës për të qenë pjesë e Kosova International Fashion Week.

Nata e dytë e Javës së Modës, vazhdon sonte nga ora 18:00, në Swiss Diamond Hotel Prishtina.

Previous articleFotografia pa grim e Adelinës, montazh? (Foto)
Next articleRita: “Fifty Shades of Grey”, ngjashëm si shkolla