Një milion e 600 mijë euro dënim për Komunën e Prishtinës

Një pronë prej 0,55.40 ha, i ka shkaktuar dëme Komunës së Prishtinës për një shumë rreth 1 milion e 600 mijë euro.

Ky problem ka nisur në kohën e udhëheqjes së Ismet Beqirit, por qeverisja e re thotë se kjo e ka dëmtuar rëndë Komunën dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendime të pabaza.

Prona e Sahit Shalës, i cili e kishte blerë atë nga ish-pronarja Rajkovic-Jovanovic Rtka, në vitin 1968, ka kaluar në procedura të shumta gjyqësore.

Komuna e Prishtinës konsideron se është dëmtuar nga ish Gjykata Komunale (Gjykata Themelore) në Prishtinë, për arsye se Gjykata nuk ka pasur prova të mjaftueshme për njohjen e pronësisë së Sahit Shalës për ngastrën në fjalë.

Sipas Komunës, njohja e pronësisë është bërë sipas deklaratave të dëshmitarëve dhe jo në bazë të kontratës valide për shitblerje. Po ashtu, ata kanë dyshime edhe në gjyqtaren e rastit, Sanije Muçolli, e cila është në proces të gjykimit për tjetërsim të pronave. Ata thonë se kjo gjyqtare ka bërë njohjen e pronësisë bazuar në dëshmitarë. Dyshimet po ashtu bien edhe në gjykatë, që sipas Komunës, pas aktgjykimit nga gjykata kompetente nuk është lejuar super-ekspertiza e kërkuar nga Komuna e Prishtinës për vlerësimin e pronës.

Më poshtë po ua sjellim sqarimin e Komunës dhe procedurat që ka kaluar kjo pronë…

“Me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, C. nr. 652/2006 të datës 18 dhjetor 2006, Aktgjykim i cili është bërë i plotfuqishëm pjesërisht, është aprovuar kërkesëpadia e paditësit dhe është vërtetuar se e paditura ‘Komuna e Prishtinës’ pa bazë ligjore ka bërë shpronësimin e paditësit nga ngastra kadastrale nr.7181, me kulturë, arë klasa tre, vendi i quajtur Qytet’ në sipërfaqe prej 0,55.40 ha, Zona Kadastrore Prishtinë. Ndërsa, në dispozitën nën dy është detyruar e paditura, ‘Komuna e Prishtinës’, që paditësit t’ia dorëzojë në pronësi dhe posedim nga fondi i pronës së saj, paluajtshmërinë me kulturë të njëjtë, në sipërfaqe prej 0,55.40 hektar e cila i përgjigjet paluajtshmërisë së shpronësuar për nga pozita, klasa dhe kultura.

Komuna e Prishtinës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Qarkut për këtë aktgjykim në Prishtinë më 8 qershor 2009.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me Aktgjykim Ac. nr. 1182/2009 të datës 22 prill 2010, ka refuzuar ankesën e të paditurës ‘Komuna e Prishtinës’, si dhe ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, C. nr. 652/2006 të datës 18 dhjetor 2008.

Me 10 qershor të 2010-ës është ushtruar Revizion kundër Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë (C. nr. 652/2006 të datës 18.12.2008) si dhe kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinës (Ac. nr. 1182/2009 të dt. 22.04.2010).

Pas revizionit, Gjykata Supreme e Kosovës në Prishtinë, me Aktvendimin Revezion I. nr. 198/2010, i datës 5 prill 2012 me Aktvendim hidhet si i palejuar Revizioni i të paditurës ‘Komuna e Prishtinës’ për shkak të taksës gjyqësore për padi në shumën prej 15 euro.

Në seancën e datës 23 nëntor 2012, me vendim Gjykata i jep afat debitorit që deri me datë 11 dhjetor 2012 që të bëjë përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshjeje. Pas konsultimeve me Kryetarin e atëhershëm të Komunës, Isa Mustafa, dhe Drejtorin e Financave, Komuna e Prishtinës propozon që detyrimin nga pika II e dispozitivit të Aktgjykimit C. Nr. 652/2006 të datë 18 dhjetor 2008 ta përmbush detyrimin me mjete monetare duke u bazuar në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, Ligji Nr.03/L-139, Neni 16, paragrafi 1.

Pas këtij propozimit të Komunës së Prishtinës dhe Konkluzionit të Gjykatës Komunale Prishtinë, E.nr.1418/2011, të datës 4 dhjetor 2012, kreditori Sahit Shala nga Prishtina i përfaqësuar nga avokati Xheladin Osmani, Prishtinë, me Parashtresë kërkon që propozimi për përmbarim të lejohet në bazë të Aktgjykimit të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm të kësaj gjykate C.nr.652/2006 dt.18.12.2008. Enr.1418/2011.

Më 7 mars 2014, Komuna e Prishtinës ka pranuar Aktvendimin për përmbarim nga Gjykata Themelore Prishtinë dhe urdhëresën E.nr.1418/2011, me të cilën është urdhëruar që Shpend Shalës dhe Fatlind Shalës (trashëgimtarëve të Sahit Shalës), t’ju bëhet pagesa prej 1,662,000.00 euro dhe në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore shumën prej 2,033.00 euro.

Komuna e Prishtinës konsideron se është dëmtuar nga ish Gjykata Komunale (Gjykata Themelore) në Prishtinë, për këto arsye:

– Gjykata nuk ka pasur prova të mjaftueshme për njohjen e pronësisë së Sahit Shalës për ngastrën kadastrale në fjalë, të cilën Sahit Shala pretendon se e ka blerë nga ish-pronarja Rajkovic-Jovanovic Rtka, në vitin 1968;

– Njohja e pronësisë është bërë sipas deklaratave të dëshmitarëve dhe jo në bazë të kontratës valide për shitblerje;

– Gjyqtarja që e ka bërë njohjen e pronësisë bazuar në dëshmitarë është Sanije Muçolli, e cila është në proces të gjykimit për tjetërsim të pronave të Komunës.

– Pas Aktgjykimit të gjykatës, nga gjykata kompetente nuk është lejuar super-ekspertiza e kërkuar nga Komuna e Prishtinës për vlerësimin e pronës”.