Home LAJME Një serb përçan 7 milionë shqiptarë

Një serb përçan 7 milionë shqiptarë

Pjesëmarrja e këngëtarit serb Zdravko Colic, në festivalin në Shqipëri dhe reagimi i publikut shqiptar, vazhdon të jetë pjesë e debateve të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Pjesëmarrës në debatin “Colic përplas Tiranën me Prishtinën” në emisionin “Opinion”, ku ishin të pranishëm artistë, politikanë e analistë, u tha se Colic ishte promovues i dhunës në Kosovë.

Duke marrë pjesë në debatin e sontëm deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, tha se në vitin 1999, Colic merrte pjesë në ato koncerte ku promovohej dhuna në Kosovë.

“Më 99 u organizu në Beograd koncerti ‘Target’. Në atë koncert kanë marrë pjesë pothuajse e gjithë estrada serbe edhe Colic. Colic është pyetur a kishte shkuar me dhunë apo me dëshirë. Ai ka qenë pjesëmarrës në koncerte që e kanë promovuar dhunën në Kosovë”, tha Buzhala.

Edhe politikani nga Maqedonia, Bekim Adili, thotë se nuk flet nga urrejtja, por vetëm ne si popull mitizojmë këngëtarët e huaj.

“Fakti është tek masa e reciprocitetit. Nuk flas nga urrejtja apo armiqësia, ne mitizojmë këngëtarë të huaj, artistë të huaj. Më thoni kur një artist shqiptar është mitizuar në Serbi”, tha ai.

Pandi Laço, thotë se ata nuk kanë pritur një reagim të tillë.

Ai thotë se nuk e di që Colic ka qenë kundër sulmeve të NATO-s apo se ka shprehur ndonjë kundërshti ndaj Kosovës.

Ndërsa, sipas këngëtarit Artan Bakiaj, të thuash në shekullin 21 se nuk ke informacion në lidhje me deklaratat e Colic, është “diçka që nuk pi ujë”.

“Të thuash se Colic është thjeshtë këngëtar, sërish nuk pi ujë. Colic është një serb, është i lindur në Sarajeve por i takon komunitetit serb. Colic nuk është vetëm një artist, e ka përkrahë regjimin. Nuk kisha reagu deri në momentin kur u dha deklarata e ekipit juaj. Pse ka nevojë me u ftu një serb në festivalin e muzikës shqipe”, thotë ai.

Debati i sontëm për këngëtarin serb Zdravko Colic ka zgjuar edhe reagime të shumta të publikut, të cilët në komentet e tyre janë shprehur për dhe kundër pjesëmarrjes së këngëtarit serb në festivalin e Tiranës.

Ndërsa, publicisti Adriatik Kelmendi, në një postim të tij në facebook, ka shkruar se nuk e kishte parë Colicin në Klan, “as më kanë bërë përshtypje fort komentet post festum, e as sonte s’po e shikoj Klanin…”

“Por nga komentet këtu, me keqardhje po mund të konstatoj: Edhe në vitin 2014 një serb i vetëm paska mundësi t’i përçajë 7 milionë shqiptarë!”, ka shkruar Kelmendi.

Previous articleDëshmitë në llastika
Next articleObama e siguron Japoninë rreth ishujve në detin e Kinës