Home LAJME Njohja nga Vatikani do të vijë

Njohja nga Vatikani do të vijë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm në largim të Serbisë, Ivan Mërkiq, i cili ka deklaruar se Vatikani nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Selimi i ka thënë “Epokës së re” se Kosova i ka marrëdhëniet shumë të mira me Selinë e Shenjtë. “Ivan Mërkiq është ministër në shkuarje nga Qeveria e kaluar e Serbisë dhe nuk e shoh të rëndësishme të merremi me deklarata të zyrtarëve në pensionim e sipër të shteteve fqinje. Kosova, si populli ashtu edhe shteti, kanë marrëdhënie të mira me Selinë e Shenjtë dhe e falënderojmë Atin e Shenjtë për kujdes”, është shprehur ai.

Selimi ia ka rikujtuar Serbisë dhe kryediplomatit të saj se Vatikani dikur është drejtuar nga shqiptarët. Në këtë kontekst, Selimi ka thënë se njohja e Kosovës nga Vatikani do të vijë si rezultat i konsolidimit të Ballkanit. “Kurrë nuk duhet të harrojmë se dy shqiptarë ishin bërë Papë dhe, pavarësisht konsideratave politike momentale, duhet të kujtojmë se lidhja jonë me Vatikanin shkon përtej njohjes formale. Edhe ajo do të vijë si rezultat i konsolidimit të gjithë Ballkanit, por Selia e Shenjtë e ka ritmin e vet të vendimmarrjes”, ka deklaruar Selimi.

Duke folur për procesin e njohjeve, zëvendësministri i MPJ-së ka bërë me dije se deri në fillim të qershorit Republika e Kosovës do t’i ofrohet njohjes së 110 ndërkombëtare. “Ministri Hoxhaj ka paralajmëruar edhe disa njohje deri në fillim të qershorit për t’iu afruar numrit prej 110 njohjeve”, ka thënë Selimi.

Pavarësisht se Kosova është në vit elektoral, Selimi ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare nuk do të kenë ndikim në agjendën e MPJ-së. Ai ka thënë se muaji maj dhe qershor do të jenë të ngjeshur me aktivitete, të cilat janë në interes të shtetit të Kosovës brenda dhe jashtë tij. “Zgjedhjet parlamentare nuk mund të kenë ndikim, sepse agjenda e majit dhe qershorit është e mbushur me angazhime prej procesit të MSA-s e deri tek implementimi i marrëveshjes nga dialogu Kosovë – Serbi. Edhe shërbimi diplomatik dhe konsullor funksionojnë jashtë kalendarit të politikës lokale”, është shprehur Selimi.

Previous articleVeriorët i referohen Qeverisë së Kosovës si “pushtet neutral”
Next articleKapen me drogë tregtarë nga Kosova