Nuk është buka ajo që na shëndosh

Me në fund të dashuruarit pas bukës dhe karbohidrateve në përgjithësi mund të qetësohen.

Një studim britanik ka treguar se konsumi i bukës nuk na shëndosh. Jemi të shëndosh thjesht dhe vetëm për shkak të faktit se hamë shumë, shumë më tepër nga ç’janë nevojat e organizmit.

Në këtë mënyrë artikulli, i botuar në Daily Mail, ka zhbërë të gjitha legjendat qytetëse, sipas të cilave konsumi i bukës çon drejtpërdrejtë në shëndoshje. Buka nuk na shendosh, por na shendosh ajo me të cilën shoqërojmë bukën.

Sipas disa përllogaritjeve të thjeshta të se përditshmes britanike, dy feta buke përmbajnë vetëm 190 kalori dhe dy gram yndyra. Nëse mbi to do të shtrojmë edhe një shtrese gjalpë, atëherë të dhënat ndryshojnë shume. Në këtë mënyrë llogaritet të marrim rreth 334 kalori dhe 16 gram yndyrë. Nëse do të përdorim majonezë, kjo sasi kalorie shkon ne 600 dhe yndyra në 34 gram.

Pra “faji” në këtë rast nuk është i bukës. Madje nëse do të konsumojmë bukë integrale, atëherë do të kemi marrë edhe shumë fibra të nevojshme për organizmin. Veç kësaj, drithërat kanë edhe shumë kalcium dhe hekur, të cilat përbejnë rreth 25% të nevojave ditore në këto mikroelemente, si dhe sasi të madhe të Vitaminës B1.