Obama: Lufta në Afganistan përfundon në fund të këtij viti

Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka premtuar forcave të Shteteve të Bashkuara, se lufta në Afganistan do të përfundoj në fund të këtij viti.

Presidenti Obama e ka bërë një vizitë të papritur mbrëmë në Bazën ajrore amerikane në Bagram të Afganistanit, për ta festuar së bashku me ushtarët, Ditën e Përkujtimit.

Obama u tha ushtarëve se lufta është në një moment vendimtar, pasi forcat e Afganistanit po e marrin përgjegjësinë primare për sigurinë e vendit të tyre.

Presidenti amerikan poashtu tha se shpreson që Washingtoni ta nënshkruajë marrëveshjen për siguri me Kabulin, pasi të inaugurohet presidenti i ri i këtij vendi.

Presidenti i deritashëm afgan, Hamid Karzai, ka refuzuar ta nënshkruajë këtë marrëveshje, e cila parasheh që në Afganistan të mbetet një kontigjent i vogël i ushtarëve amerikanë për trajnim dhe misione kundërterroriste edhe pas këtij viti.