Pa marrë parasysh rezultatin dhe mbarëvajtjen e tyre, zgjedhjet nacionale të 8 qershorit do të jenë historike. Për herë të parë qysh prej shpalljes së pavarësisë, në zgjedhjet nacionale, Republika e Kosovës do të dërgojë kuti të votimit dhe do të hapë qendra të rregullta zgjedhore edhe në veri të lumit Ibër.
Problemet në veri të Kosovës do të shfaqen edhe në zgjedhjet e 8 qershorit.
Por, ndryshe nga herët tjera, kur Kosova nuk ka mbajtur pothuajse fare zgjedhje nacionale në pjesën më problematike të vendit, kësaj here atje do të ketë zgjedhje, edhe pse ato do të organizohen nga OSBE-ja.
Misioni në Kosovë i kësaj organizate pritet të marr rolin e KQZ-së në veri të lumit Ibër, sipas skenarit të përdorur në zgjedhjet e kaluara lokale.
Misioni i OSBE-së është i gatshëm sërish për të ndihmuar mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Pas rolit aktiv që kishte në zgjedhjet lokale, OSBE shprehet e gatshme që njësoj të ndihmojë edhe në kuadër të procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Roli i OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës shihet si i domosdoshëm, ngaqë institucionet vendase dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kanë qasje në këtë pjesë të kontrolluar edhe më tutje nga Serbia fqinje dhe serbët e atjeshëm lokalë. /