Numri dy i Qeverisë së Kosovës thotë se është utopike që të kemi një shtet gjithshqiptar. Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, Pacolli ka thënë se tashmë është e ditur botërisht se Kosova nuk do të ndahet dhe nuk do t’i bashkohet asnjë shteti.
“Por nëse krijohet një treg i përbashkët ekonomik dhe një unifikim i jetesës, nuk di çka kërkohet bashkimi kombëtar”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se takimi mes dy qeverive shqiptare në Prizren, ka qenë implementim i një prej ideve të tij.
I ftuari i Adriatik Kelmendit, ka thënë se me partnerin e tij të koalicionit, kryeministrin Hashim Thaçi, ka pasur divergjenca. Por, i vjen mirë që në fund të mandatit të tij ai ka nisur të flasë me gjuhën e ekonomisë.
Kreu i AKR-së, ka thënë se me partinë që e drejton do të garojë i vetëm në zgjedhjet e përgjithshme.
“Koalicioni parazgjedhor na ka dëmtuar. Ne kemi programin tonë dhe duhet atë ta prezantojmë”, ka thënë Pacolli. “Nuk ka mundësi që AKR-ja të mos e kalojë pragun zgjedhor. Absolutisht nuk është preokupim i imi pragu zgjedhor, por forca politike që do të marrim. Do të jemi në mes të partisë së dytë dhe tretë”.
Pas zgjedhjeve ai thotë se synon që të jetë në postin që mund t’i çojë gjërat përpara.
“Natyrisht, kryeministër, sepse nuk kemi shtet presidencial çfarë jam munduar që ta bëjmë”, ka thënë Pacolli. /Koha/