Pagjumësia e përkohshme zgjat më pak se 2 javë dhe mund të shkaktohet nga ndryshimi i kushteve në të cilat ndodh gjumi, udhëtime nga një zonë orare në tjetrën, çrregullime akute me kohëzgjatje të shkurtër (probleme emocionale).
Pagjumësia kronike zgjat mbi 6 muaj dhe mund të shkaktohet nga çrregullime psikiatrike, sidomos depresioni, abuzimi me alkool ose barna, marrja kronike e sasive të mëdha të kafeinës etj.
Trajtimi me barna i pagjumësisë nuk është një trajtim i preferuar. Trajtimi medikamentoz është më efikas në formë të përkohshme ose me kohëzgjatje të shkurtër.
Mjeku duhet të mbajë parasysh fakti se benzodiazepinat mund të shkakojnë shumë lehtë varësi te personi, dhe për këtë arsye ata duhet të rezervohet vetëm në raste të veçanta ose kur pagjumësia shkakton çrregullime serioze te pacienti.
Nëse pacienti është duke e trajtuar pagjumësinë me anë të barnave, atëherë ai ato duhet t’i përdorë në sasi më të vogla të mundshme dhe asesi më shumë se 2 javë.
Ndërprerja e këtij mjekimi duhet të bëhet gradualisht. Ndërprerja e benzodiasepinave me veprim të shkurtër mund të shkaktojë rishfaqjen e pagjumësisë. Aktualisht nuk ka studime që e vërtetojnë superioritetin e cikloproloneve ndaj benzodiazepinave.
Trajtim i rekomanduar
Trajtimi i rekomanduar i pagjumësisë janë terapitë jo medikamentoze. Kjo mund të fillohet me edukimin e pacientit me higjienën e gjumit, duke mbështetur zakonet që nxitin gjumin dhe duke larguar ato që pengojnë gjumin:
– Zgjimi i rregullt në të njëjtën kohë
– Eliminimi i përgjumjeve gjatë ditës
– Aktiviteti fizik i rregullt gjatë ditës
– Evitimi i sforcimeve fizike para gjumit
– Evitimi i vakteve ushqimore të rënda para gjumit
– Eliminimi në mbrëmje i pirjes së kafesë ose lëngjeve të tjera që përmbajnë kafeinë
– Evitimi i konsumit të pijeve alkoolike mbi 50-100 ml. raki/ ose 150 ml verë
– Sigurimi i një ambienti të qetë dhe të përshtatshëm për gjumë
– Ushtrimet Joga, mund të mjekojnë shumë mirë pagjumësinë, ashtu qi dhe shumë çrregullime tjera të karakterit funksional, pa qenë nevoja për të përdorur barna.