Kryenegociatori i BE-së, Jean-Eric Paquet tha të premten se MSA është një hap i rëndësishëm, që përkrah reformat e domosdoshme në Kosovës, sidomos në fushat si sundimi i ligjit, administrata publike, zgjedhjet, qeverisja demokratike, mbrojtja e pakicave, tregu i brendshëm, politikat tregtare.
Këto politika janë duke shkuar dhe MSA-ja jep mundësi që të hulumtoni ato edhe me tutje.
Ndërsa, Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku tha se dita e sotme shënon një ditë historike për Kosovën drejt anëtarësimit në BE.
“Jemi vetëm në fillim të një rrugëtimi të gjatë drejt të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe shumë sfida janë para nesh. Në këtë drejtim Qeveria do të vazhdoj të fokusohet në zbatimin e kritereve afatmesme, të paraqitura në studimin e fizibilitetit”, tha Çitaku.
Të dy kryenegociatorët, theksuan se MSA-në nuk do ta bllokojnë asesi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, pasi ato nuk përbëjnë një bllok anti Kosovë për anëtarësimin e saj në BE.
Ndërsa, sipas Çitakut, pas përfundimit të negociatave, gjatë verës pritet të vihen edhe inicialet mes Kosovës dhe BE-së për MSA-në.
“Sot kemi përmbyllur negociatat, me kaq Kosova e ka përmbyllur pjesën e saj të punës dhe tani një draft marrëveshje që është goxha voluminoze dhe përfshinë të gjithë titujt do të hyjë nëpër makinerinë burokratike të Brukselit. Ne presim, por nuk do doja të flas me afate kohore sepse nuk varet as nga ne, e besa as nga Komisioni Evropian. Por ne presim që brenda verës, brenda pak muajsh të vendosim inicialet në MSA dhe menjëherë pas vendosjes se inicialeve sigurisht do të kaloj edhe një kohë me procedurat tjera, do të kemi edhe nënshkrimin”, tha Çitaku.
Edhe Paquet tha se do të shkojnë hap pas hapi, dhe se hapi i parë është nënshkrimi, pas procedurave teknike.
Me këtë marrëveshje do të mbrohen produktet kosovare. Me këtë marrëveshje 14 produkte janë konsideruar të rëndësisë strategjike dhe nuk janë negociuar fare për liberalizim, 12 produkte tjera që janë konsideruar të rëndësishme dhe janë mbrojtur për 10 vite, janë 257 produkte që janë konsideruar si të ndjeshme dhe janë mbrojtur për 7 vite dhe 452 produkte që do të mbrohen për periudhën 58 vjeçare.