Home LAJME Parlamentarët konfirmojnë shkeljet e Hasanit

Parlamentarët konfirmojnë shkeljet e Hasanit

Shpërfillja që i ka bërë Kuvendit të Kosovës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Brukselit për vazhdim të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, ka alarmuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Derisa disa nga ta kanë kërkuar informata më të hollësishme nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të tjerët kanë kërkuar që të gjenden format e ndëshkimit të Enver Hasanit.

Pak ditë, pasi gazeta Tribuna ka nxjerrë në pah se kreu i Kushtetutës ka bërë një kërkesë që nuk ka mbështetje në Kushtetutë, duke iu drejtuar presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe zyrtares së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, kryetari i Komisionit të ligjeve që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kjo çështje duhet trajtuar në Kuvend, gjithsesi.

“Kjo çështje besoj që duhet të trajtohet gjithsesi, sepse organi krijues i Gjykatës Kushtetuese është Kuvendi i Kosovës. Por, ky problem mbetet të shihet në ditët në vazhdim se si do të trajtohet. Mendoj që do ta trajtojmë në Komisionin parlamentar sapo ta marrim informatën e sigurt që ajo ka ndodhur vërtet”, ka thënë Gashi për Tribunën.

Ndryshe prej tij, vërtetësinë e lajmit as që e ka vënë në dyshim shefja e grupit parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani. /Tribuna/

Previous articleNokia zbulon telefonin më të hollë në botë me internet
Next articlePesëmbëdhjetë vjet nga rënia e Agim Ramadanit