Zyrtarë të partive politike opozitare kanë thënë për Telegrafin se nuk iu besojnë sondazheve që dalin për përqindjen e fitores në zgjedhje, pasi sipas tyre shpeshherë nuk dihet kush qëndron prapa këtyre sondazheve dhe mund të jenë vetëm spekulime.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, përmes një deklarate në media, e hedh poshtë këtë sondazh, duke thënë se në sondazhe mund të bëhen edhe spekulime.
“Unë nuk e di kush e ka bërë këtë sondazh. Në sondazhe është normale që të spekulohet nga pak. Unë nuk e di prej nga ka ardhur ky sondazh, sepse ne i kemi sondazhet tona dhe i bëjmë matjet tona të cilat e flasin të kundërtën”, ka thënë Rugova.
Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), e ka quajtur si spekulim edhe diskutimin për rezultatet e sondazheve pas të cilave nuk dihet kush qëndron. Sipas tij, të tilla sondazhe bëhen për të krijuar huti në mesin e qytetarëve.
“VV-ja në zgjedhje hyn për ta prezantuar konceptin e saj qeverisës, duke besuar se oferta e saj do të fitojë”, ka thënë Vraniqi për Telegrafin.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, duke i komentuar rezultatet e sondazhit të publikuar të mërkurën në media, ku përgjigjet e respondentëve partinë e Haradinajt e radhitin të katërtën, ka theksuar se ky sondazh është inekzistent.
Sipas tij, këto rezultate nuk janë reale, sepse janë bërë për hesap të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Kosovë të Re.
“AAK-ja do të ketë dukshëm rritje të madhe të votave, në zgjedhjet nacionale. Me ç’rast ky besim i qytetarëve do të ndikoj që partia jonë të ketë ndikim vendimtar në politikën kosovare”, ka thënë Ramadani.
Sipas një sondazhi të cilin e ka siguruar gazeta “Tribuna”, PDK-ja rezulton të jetë partia më të madhe në vend, me: 28.3 %, e përcjellë nga LDK-ja me 24.1, VV-ja me 13.7 , AAK-ja me 12.8 dhe AKR-ja me 5.1%. Për Nismën, janë deklaruar se do të votojnë 2.1 për qind e respondentëve derisa për Partinë e Drejtësisë 1.2.
Ndryshe, sipas një ankete të publikuar para disa muajve, LDK-ja ka dalë partia më e madhe në vend, e përcjellë nga PDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja. Sipas kësaj ankete, LDK-ja do të fitonte 28%, ndërsa PDK- ja do të ketë 23%. VV-ja do të siguronte 14% dhe AAK-ja do të fitonte 8 % të votuesve, ndërsa 11% janë ishin ende të pavendosur.