Në mbledhjen e mbajtur sot pasdite, Kryesia e PDK-së ka marrë vendim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 8 qershor. Për të realizuar këtë, Partia Demokratike e Kosovës do të propozojë të martën apo të mërkurën shpërbërjen e Parlamentit.
Burime të Lajmi.net kanë bërë të ditur se Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar në takimin e sotëm për çështjet aktuale lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Kryesia ka marrë vendim që të martën apo të mërkurën të propozojë shpërndarjen e parlamentit, në mënyrë që t’i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve të reja. Ashtu siç ka thënë këto ditë kryeministri Thaçi, zgjedhjet e parakohshme do të duhej të mbaheshin më 8 qershor, transmeton Lajmi.net.
Partitë opozitare, pos AKR-së, ditëve të kaluara janë shprehur se e pranojnë 8 qershorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme nacionale, si dhe shpërbërjen e parlamentit.