Home LAJME PDK’ja s’ka hequr dorë nga kryeministri

PDK’ja s’ka hequr dorë nga kryeministri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë të mërkurën se koalicioni qeverisës PDK – LDK është bërë për interesa të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Haliti ka thënë se ky koalicion ka qenë solucioni më i mirë për këtë mandat qeverisës.

“Mendoj se arritja e këtij koalicioni ka qenë solucioni më i mirë për këtë periudhën katërvjeçare të qeverisjes duke pasur parasysh se do të kemi një shumicë absolute në Kuvendin e Kosovës si dhe do të kemi mundësi të marrim vendime të përbashkëta në interes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Besoj se koalicioni PDK – LDK është bërë pikërisht në interes të qytetarëve dhe në interes të së ardhmes”, ka deklaruar Haliti.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni se kujt do t’i takojë posti i kryeministrit apo kush do të bëhet kryeministër por, sipas tij, kjo enigmë do të zgjidhet gjatë vikendit. “Marrëveshja duhet të bëhet edhe për postin e kryeministrit dhe ajo do të bëhet. Besoj se të shtunën apo të dielën, me qëllim që javën tjetër ta kemi mundësinë t’i formojmë institucionet e reja”, është shprehur Haliti.

Në pyetjen nëse PDK-ja ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, Haliti është përgjigjur:

“Jo. Ne e kemi nominuar z. Thaçi si parti. PDK-ja e ka autorizuar Thaçin dhe grupin që është duke zhvilluar negociata lidhur me këtë që të vendosin për gjithçka në raport me LDK-në dhe për të gjitha postet e mundshme. Ky është vendim i Këshillit Drejtues dhe kryesisë së partisë. Pra, vullneti ynë është që Thaçi të jetë kryeministër, por mundësia pastaj se kush do të jetë kryeministër i Kosovës, u mbetet negociatave që janë duke u zhvilluar. Kur ka negociata, ka edhe kompromise dhe varet se si do të arrihet marrëveshja, pra kush do ta marrë kryeministrin”.

Haliti ka thënë se janë shumë faktorë të cilët janë të involvuar në përzgjedhjen e kandidaturës për kryeministër.

“Prandaj mbetet të shohim se kush do të dalë më i fortë. Por, nuk e di se kush do të jetë kryeministër”, është shprehur Haliti.

Ai ka thënë se koalicioni PDK – LDK do të funksionojë, pavarësisht asaj se kush do të jetë në krye të qeverisë. “Cilado marrëveshje që do të jetë në mes të PDK-së dhe LDK-së, koalicioni qeverisës do të funksionojë”, ka theksuar ai. Haliti ka bërë me dije se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. “Jo. Sepse nuk më ka thënë askush që do të jem. Çështja e të qenurit në qeveri nuk është fontanë dëshirash, por është një problem që vendoset në organet e partisë, besa duhet biseduar edhe me koalicionin dhe me personin i cili propozohet”, ka deklaruar Haliti.

Previous articleManta X7, telefoni inteligjent pa asnjë buton
Next articleGarë “e nxehtë” për Kryeprokurorin e Shtetit