Home LAJME Për një ulëse në Glatbrugg të Zvicrës, kandidojnë 7 shqiptarë

Për një ulëse në Glatbrugg të Zvicrës, kandidojnë 7 shqiptarë

‘Zgjedhjet që do të mbahen në fund të marsit në shumë komuna dhe kantone në tërë Zvicrën, si duket kësaj here i kanë gjetur shqiptarët më të përgatitur dhe më të interesuar për të marrë pjesë në jetën e këtushme politike.

Vetëm nga qyteza e Glattbrugg-ut janë 7 kandidatë shqiptarë që garojnë për një ulëse në asamblenë komunale.
Ibrahim Zahiri është kandidat, i cili garon me emblemën e një partie lokale të Glattbrugg-ut (GV – Gemeindeverein Glattbrugg Opfikon). Ai për Albinfo.ch tregon arsyen e kandidimit dhe pret vota edhe nga shqiptarët, por dhe zviceranët.

“Kjo parti për mua është disi me e veçantë nga partitë e tjera, sepse është parti e cila angazhohet vetëm për interesin lokal të qytetarëve të Glattbrugg-ut, si dhe e veçantë tjetër është se nuk të dirigjon që të fokusohesh në një sektor të caktuar që të votohet pro apo kundër. Këtu e ke hapësirën që të votosh ashtu si t’i mendon dhe je i lirë për këtë, pa ndikim të partisë“, tregon arsyen pse ka zgjedhur GV-në Ibrahim Zairi.
Politikani shqiptar thotë se nëse zgjidhet përfaqësues komunal do të angazhohet për të ardhmen e fëmijëve, shkollimin e tyre, duke iu siguruar kushte dhe hapësira të mjaftueshme për mësim.
Për Zairin, rëndësi të veçantë ka edhe familja dhe zhvillimi i saj në këtë komunë zvicerane.
„Dua që të gjitha familjet të trajtohen njëjtë dhe të kenë mundësi të barabarta për të gjetur një banesë më lehtë dhe me një çmim të përballueshëm. Një fushë tjetër e rëndësishme është edhe ruajtja e mjedisit“, thekson Zairi.

Për Zairin, Glattbrugg-u ka nevojë për përfaqësim të të gjitha komuniteteve që jetojnë në të, si në komunë dhe institucione të tjera, sepse sipas tij, vetëm kështu i njohim më mirë problemet e njëri-tjetrit.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në votimet në këtë komunë.
“Është shumë mirë që nuk jam i vetmi shqiptar, por ka edhe të tjerë, dhe në këtë mënyrë votuesit shqiptarë kanë mundësi të zgjedhin se për kënd do të votojnë”, tha Ibraim Zahiri, kandidat për këshilltar në asamblenë komunale të Glattbrugg-ut.
Përveç Zahirit, garojnë edhe 6 kandidatë të tjerë shqiptarë që vijnë nga partia tjetër socialdemokrate, ajo e SP-së (Sozialdemokratische Partei).

Nga 19 kandidatë të nominuar nga Partia Socialdemokrate (SP) për zgjedhjet e 30 marsit për asamblistë të kuvendit komunal Opfikon, Glattbrugg dhe Glattpark, 6 prej tyre janë shqiptarë.
Kandidatët Arina Jakupi, Fatlum Kastrati, Ola Sinani, Qëndresa Sadriu, Shaban Haliti dhe Taulant Faniqi janë prezantuar para elektoratit të shtunën në një mbrëmje në Glattbrugg.
Meqë 6 kandidatët shqiptarë garojnë me të njëjtin subjekt politik, SP-në, kanë edhe një program të përbashkët politik për këto zgjedhje.

“Diversiteti jonë në aspektin e moshës, gjinisë, profesionit, si dhe vendbanimit mundëson shqyrtimin e kërkesave të qytetarëve në mënyrën më adekuate. Ky diversitet brenda grupit ka sjellë një frymë të re në jetën politike në rrethin ku jetojmë dhe veprojmë. Duke marrë parasysh përqindjen e konsiderueshëm të komunitetit shqiptar në Opfikon, Glattbrugg dhe Glattpark, përfaqësimi në jetën politike është i domosdoshëm dhe më se i nevojshëm”, thuhet në një deklaratë të 6 kandidatëve shqiptarë të SP-së në Glattbrugg.
Gjashtë politikanët shqiptarë thonë se do angazhohen për një integrim të mirëfilltë, me tolerancë ndërkulturore. Ata po ashtu theksojnë se në fokus do të kenë edhe përmirësimin e kushteve nëpër shkolla për fëmijët.

“Më shumë barazi në jetën shoqërore, posaçërisht në shkolla. Përmirësimi i kushteve të jetesës, duke zvogëluar koston që të jetë e përballueshme për banim, për një qytet më atraktiv për të gjithë”, thonë politikanët shqiptarë të SP-së.
“Shaban Haliti është caktuar si përgjegjës në Këshillin e shkollave, ku do t’i përkushtohet menaxhimit të shkollës, mënjanimit të diskriminimit ndaj nxënësve dhe krijimit të kushteve për avancimin e nxënësve të aftë, pa marrë parasysh prejardhjen, gjininë dhe përkatësin fetare”, thuhet në këtë deklaratë të përbashkët të kandidatëve shqiptarë, të cilët presin interesim më të madh të bashkëkombasve të tyre për të votuar në këto zgjedhje.
“Sa më e madhe të jetë përkrahja juaj për ne, aq më i fuqishëm do të jetë zëri jonë në asamble.

Kjo mundëson ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve në mënyrë më efektive, por njëkohësisht ndikon pozitivisht në respektin e ndërsjellë në shoqërinë zvicerane”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shqiptarëve të SP-së për Glattbrugg-un.
Shtatë kandidatët shqiptarë kanë shumë besim në përkrahjen e shqiptarëve të Glattbruggut në zgjedhjet e 30 marsit.
Glattbrugg-u kohët e fundit është bërë qendër mjaft aktive e shqiptarëve të Zvicrës.
Në këtë komunë janë bërë të shpeshta organizimet e ndryshme nga shqiptarët në një qytezë me rreth 16000 banorë (në foto Arina Jakupi, Fatlum Kastrati, Ola Sinani, Qëndresa Sadriu, Shaban Haliti dhe Taulant Faniqi).

Previous articleMangësi në respektimin e të drejtave të fëmijëve
Next articleGjallesa më e moçme në botë, breshka 182 vjeçe