Përfaqësues të OVL-së së UÇK-së kanë takuar kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqin. Siç raportoi KTV, ata kanë biseduar për Ligjin për Veteranët e Luftës, i cili as për këtë javë nuk do të jetë pikë e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i OVL-së, Muharrem Xhemajli, pas takimit me Krasniqin është deklaruar se kanë kërkuar nga ai që të përshpejtojë kalimin e këtij ligji në Kuvend dhe të miratohet nga deputetët, pa bërë të ditur nëse ka marrë përgjigje nga kryekuvendari se kur do të ndodhë kjo.
Veteranët e luftës së UÇK-së kishin kërcënuar me protesta të dhunshme në rast se deri më 10 mars nuk do të miratohej ligji për vlerat e luftës. Por ata i kishte bindur kryeministri, Hashim Thaçi, se deri në këtë datë Kuvendi do ta kryente miratimin. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por nuk do të ndodhë as këtë javë, pasi Kuvendi nuk e ka futur në rend ditë këtë ligj. Se po bëhet lojë me këtë ligj e cilësojnë partitë opozitare deklarimin e kryeministrit se Kuvendi po vonon miratimin.