Përse nuk po ju largohet gripi

E ftohura e zakonshme zgjat mesatarisht dy javë, nëse gjendja vazhdon, atëherë ka mundësi të jeni prekur nga një virus i dytë.

Ndonjëherë gjendja e rënduar e shëndetit gjatë apo pas një gripi mund të zgjasë më shumë se dy javë për një të ftohur. Por nëse situata vazhdon më gjatë, atëherë ka mundësi të keni marrë një infeksion të dytë.

Doktorët thonë se disa pacientë mund t’i rikthehen të ftohurës herë pas here. Nuk ka mundësi që personi të jetë riinfektuar me të njëjtin virus, për shkak se trupi prodhon imunitet ndaj tij. Por njerëzit mund të preken nga rreth 200 viruse të tjera të njohura, që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme, ku disa janë më të këqij se të tjerët.

“Nëse dëgjoni njerëz që shprehen se nuk iu është larguar akoma gripi, zakonisht vjen si pasojë e infeksioneve që shoqërojnë njëra-tjetrën”, shprehet Darlin Mojer (Darilyn Moyer) një fizikane në Universitetin Spitalor Temple.

Gripi mund të tërheqë vëmendjen e të gjithëve, por e ftohura është arsyeja kryesore përse shumica e njerëzve u drejtohen doktorëve, sipas Institutit Amerikan të Shëndetit. Çdo vit, amerikanët prekën nga një miliard të ftohura dhe 22 milionë ditë shkolle humben për shkak të virozave.

Ekspertët thonë se të rriturit mesatarisht marrin dy deri në pesë të ftohura në vit, ndërsa fëmijët në shkolla ftohen nga shtatë deri në dhjetë herë çdo vit. Të moshuarit kanë prirje të infektohen më pak, sepse kanë ndërtuar imunitet ndaj shumë viruseve. Po ashtu, të rriturit që jetojnë apo punojnë me fëmijët sëmuren më shumë.

Ekspertët thonë se është e mundur që mbartësi i baktereve të infektojë të tjerët pa i pasur simptomat vetë. “Në çdo moment që ju mund të teshtini, mund të shpërndani pesë lloje rinovirusesh që janë në hundën tuaj, por që nuk u kanë sëmurur”, shprehet An Palmenberg, një kërkuese në Institutin Molekular të Virologjisë në Universitetin Wisconsin-Madison.

Rinovirusi është shkaktari më i përhapur i të ftohurit të zakonshëm, sipas 30-50 për qind të rasteve te të rriturit. “Për t’u infektuar, të ashtuquajturit receptorë ICAM, me të cilat lidhet rinovirusi për të hyrë në qelizat hundore, duhet të jenë të hapur”, shprehet Palmenberg.

“Bakteret janë në ajër gjatë gjithë kohës, pyetja është se kur jeni ju i prekshëm prej tyre”, vazhdon ajo. Faktorë si stresi, mungesa e gjumit dhe shëndeti në përgjithësi i bëjnë njerëzit më të prekshëm prej infeksioneve. Më shumë se 150 genotipe të rinovirusit janë identifikuar dhe kërkuesit besojnë se mund të ketë akoma më shumë.

Rinovirusi riprodhohet më mirë në temperatura relativisht të ulëta të trupit, në zonën e sipërme respiratore, si për shembull në hundë, sinuse dhe fyt.

Viruse të tjera, si adenovirusi që është më pak i përhapur, mund të riprodhohen dhe të lidhen me receptorët e pjesës së sipërme dhe të poshtme të rrugëve të frymëmarrjes, duke shkaktuar sëmundje më serioze.

Viruse si coronavirusi, virusi sincitial dhe enterovirusi, mund të identifikohen si shkaktarë të së ftohurës së zakonshme. “Gjëja më kryesore është se shkencëtarët akoma nuk kanë identifikuar shkakun e 20-30 për qind të gripeve te të rriturit”, thotë Antoni Fauci, drejtor i Institutit Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.

Ndonjëherë një e ftohur jo e rëndësishme, që mund të duket se nuk do të marrë fund kurrë mund të jetë një shenjë e diçkaje më serioze. Një e ftohur mund të rezultojë të jetë infeksion sinusi, broshit ose pneumoni. Duhet theksuar gjithashtu se simptomat e të ftohurit, shpeshherë ngatërrohen me alergjitë sezonale. Kolla e thatë që mbetet zakonisht pas të ftohurit mund të vijë për shkak të hiperaktivitetit bronkial ose të sëmundjes së trakesë.

“Pasi kaloni një infeksion në sistemin respirator, pësoni një formë të ngjashme të astmës, ku tubat bronkiale janë shumë aktivë dhe të irrituar”, saktëson Moyer, nga Spitali Universitar Temple.

Një studim i publikuar vitin e shkuar ka zbuluar se kolla zgjat mesatarisht rreth 18 ditë. Një raport tha gjithashtu se rreth 500 njerëz të intervistuar mendonin se kolla duhet të zhdukej gjatë javës së parë dhe besonin që antibiotikët i ndihmonin për këtë.

Disa ekspertë janë të mendimit se të pasurit e një virusi të ftohure dhe një sistemi imunitar të dobët, mund të çojë në prekjen nga viruse të tjera shumë lehtë. Për shkak se mbështjellësit epitelial të hundës janë dobësuar kur dikush kalon një të ftohur, barriera e membranës së shkatërruar të mukozës mund të jetë shkak për marrjen e viruseve të tjera.