Home LAJME Po vlerësohen dëmet e përmbytjeve

Po vlerësohen dëmet e përmbytjeve

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave e Ferizajt, njoftoi sot se është në proces e sipër vlerësimi i dëmeve nga përmbytjet e fundit në Tërrn dhe fshatrat përreth, ndërsa me t’u konstatuar shkalla e dëmeve, do të bëhen përpjekje për kompensimin e tyre nga fondi i emergjencave.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave merret me dëmet që janë shkaktuar në objektet e banimit, tek orenditë ose pajisjet shtëpiake gjatë përmbytjeve, tek puset e ujit e kështu me radhë, ndërsa me dëmet që kanë pësuar tokat e bukës, merret Drejtoria e Bujqësisë”, tha drejtori Fatmir Azizi.

Në përmbledhjen e 100- ditëshit të punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, drejtori Azizi vuri në dukje borxhin prej 360 mijë eurosh që është trashëguar nga qeverisja e kaluar, i cili po e vështirëson dukshëm efikasitetin dhe numrin e ndërhyrjeve që janë në kompetencat e kësaj drejtorie. Ai tha se megjithë këto vështirësi, deri tani janë bërë 20 ndërhyrje në fushën e emergjencave dhe 35 ndërhyrje të tjera, pas kërkesave që lidhen me defekte në sistemin e kanalizimit ose të shërbimeve të tjera publike.

Drejtori Azizi sqaroi se vështirësitë që paraqiten në rrugën “Ahmet Kaçiku” të qytetit, gjatë reshjeve të dendura e të rrëmbyeshme, janë pasojë e tubacionit të ngushtë, i cili nuk i përballon sasitë e mëdha të ujërave atmosferikë, prandaj ky është një problem i ndërlikuar, zgjidhja e të cilit nuk është aq e lehtë.

Ai tha se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave do të këmbëngul tek kompanitë që janë përgjegjëse për kanalizimin e ujërave të zeza dhe kanalizimit atmosferik, që të jenë më të rregullta për mirëmbajtjen e rrjeteve dhe të pusetave.

Previous articleBD: Shkeljet ligjore nuk ndalen në Prizren
Next articleZgjedhjet drejt vjeshtës