Policia me plan për zgjedhjet e 3 nëntorit

Policia-e-Kosoves_rksDy ditë para zgjedhjeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor “Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka theksuar se fushata deri sot ka kaluar mirë pa incidente madhore. Sipas tij, “mund të themi lirisht se Policia e Kosovës ka pasur një rol kyç dhe i ka marrë me seriozitet të lartë angazhimet, planet, koordinimet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në mënyrë që ky proces të kalojë sa më mirë që të jetë e mundshme”.

Ministri këtë proces e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për vendin, siç është integrimi në familjen e madhe të BE-së, liberalizimi i vizave etj.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve policorë që t’i kryejnë detyrat e tyre, ashtu siç kërkohet me procedura ligjore, duke potencuar se Policia e Kosovës tashmë ka përvojë me zgjedhje, duke qenë gjithmonë në nivel të detyrës.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka theksuar se të gjitha detyrat dhe plani policor për ditën e zgjedhjeve duhet të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë, transmeton Kosovapress.

Gjithashtu, në këtë takim u diskutua që të ketë angazhim të plotë në gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe veriun, me qëllim të ofrimit të sigurisë për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve të vendit që të ushtrojnë të drejtën e votës pa ndikime dhe pa pengesa.

Në këtë takim, krahas ministrit Rexhepi dhe drejtorit Maxhuni, kanë marrë pjesë edhe zëvendësdrejtorët e Policisë së Kosovës, drejtorët e Departamenteve, si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive rajonale të Policisë, duke përfshirë edhe përfaqësues nga EULEX-i. /RadioRINIA/