Policia e Kosovës sërish ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
“Policia e Kosovës përmes planeve konkrete ka caktuar njësi policore të komunikacionit rrugor, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në rrugët urbane dhe në ato rajonale, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut”, thuhet në komunikatë.
Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese dhe do të jetë më rigoroze ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, duke përfshirë edhe këmbësorët, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, pasi që shifrat e aksidenteve të tilla janë shqetësuese dhe shumë brengosëse edhe për vetë Policinë e Kosovës.