Pranvera, rikthehen alergjitë e stinës

Rritja e temperaturave, çelja e luleve dhe shtimi i pluhurit në ajër ka sjellë edhe rritjen e numrit të prekurve nga alergjitë.

Pas virozave gripale numrin më të madh të rasteve që paraqiten tek mjeku e zënë pacientët të cilët vuajnë nga alergjitë dhe astma bronkiale. Mjekët theksojnë se problemet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë më evidente në këtë periudhë të cilat shoqërohen me teshtima, rrufa si dhe bllokim të hundëve.

Sëmundja

Ardhja e pranverës ka sjellë edhe një rritje të numrit të sëmurëve nga alergjitë. Mjekët tregojnë se në ndryshim nga 15 vite më parë është rritur numri i fëmijëve të moshës 1 deri në 15 vjeç të prekur. “Sot vihet re një rritje e numrit të fëmijëve të cilët preken nga alergjitë, e cila fillon që nga viti i parë i jetës dhe mund të haset deri në moshën 15 vjeçare. Është një problem që prindërit duhet të ndjekin pasi mund të sjellë probleme serioze për jetën pasi kalon në astmë të mushkërive”. Sipas tij, rreth 30 për qind e pacientëve të cilët janë alergjikë kalojnë në astmë.

Kjo ndodh sepse pacientët që janë alergjikë, por që nuk mjekohen, shpesh kalojnë në astmë bronkiale. Mjekët tregojnë se në zonat rurale është shumë i lartë numri i personave alergjikë, që kanë kaluar në astmë bronkiale. “Sot, 70 për qind e pacientëve janë me alergji dhe 30 për qind kanë kaluar me astmë për shkak të neglizhencës që i kanë bërë sëmundjes. Fakt është se alergjitë vijnë duke u shtuar dhe ato janë të vështira për t’u mjekuar. Ajri i ndotur nga makinat, gazrat e helmet e ndryshme rrisin mundësinë e shtimit të prekurve me astmë”, thotë Hoxha.

Këshillat

Vizita me mjekun do të ishte këshilla e kryesore që japin bluzat e bardha, sepse vetëm kështu mund të stabilizohet gjendja shëndetësore e këtyre pacienteve. “Përdorimi i medikamenteve, siç duhet, është një nga këshillat e rëndësishme. Rikontrollet dhe rivlerësimet për personat, të cilët janë të prekur nga alergjia dhe kanë shenjat e para apo më shumë se tre muaj që nuk e kanë kontaktuar me mjekun”, thekson mjeku alergolog.

Një ndër këshillat ku duhet venë theksi, është që pacientet nuk duhet të vetë mjekohen dhe sidomos të përdorin zhbllokues të hundëve, pasi, pas një periudhe ajo bëhet e dëmshme për shëndetin. Po kështu, mjekët kërkojnë që qytetarët të cilët kanë kollë të thatë, por edhe teshtima të kërkojnë ndihmën e mjekeve.