Derisa në Kosovë flitet për kontratën kolektive, 50 punëtorë pastrimi të qendrave të mjekësisë familjare në kryeqytet kanë mbetur pa kontrata pune dhe pa kompani, e cila do t’i paguante.
Rrogën e fundit këto punëtore e kanë marrë më 10 shkurt. Për më keq, ato nuk kanë nga kush t’i marrin pagat, sepse tenderi i Komunës së Prishtinës për këtë çështje është anuluar, raporton KTV.
Kjo sipas Shpend Ahmetit për shkakun se nuk dihet nëse lejohet nga Komisioni rregullativ i prokurimit publik që Komuna të rekomandojë që bashkë me tenderin kompania duhet të marrë edhe punëtorët.
Megjithatë, punëtorët kanë thënë se prej se ky sektor është privatizuar, të drejtat e këtyre punëtorëve janë shkelur çdo herë. Derisa të zgjidhet çështja e kompanisë, Komuna ka vendosur të paguajë nga buxheti i vet punëtorët.