Çështja e sigurisë, lëvizja e qarkullimit të lirë, bashkëpunimi në mes të veriut dhe jugut të qytetit, zhvillimi ekonomik dhe konferenca e investitorëve që do të mbahet me 22 Maj në Mitrovicë, kanë qenë tema të bisedës midis kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe ambasadores së Francës në Kosovë, Maryse Daviet, që u zhvillua të mërkurën në Mitrovicë.
Kryetari Bahtiri falënderoi ambasadoren Daviet për ndihmën që ambasada e Francës dhe Franca i kanë dhënë dhe vazhdojnë të i japin Kosovës dhe Mitrovicës. Ai tha se Mitrovica ka probleme të shumta politike dhe të sigurisë, por që megjithatë gjendja po vjen duke u stabilizuar.
“Gjendja e sigurisë është relativisht e mirë, ka lëvizje të kufizuar për shkak të barrikadës që e kanë vendosur ekstremistët serb mbi urë dhe disa pengesa të tjera, për evitimin e të cilave po punojmë shumë. Besoj se tash kur kemi filluar një bashkëpunim me veriun, këto probleme së shpejti do të zgjidhen”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka përsëritur se është i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë, pra edhe me drejtuesit e Komunës së re në veri të Mitrovicës, me qëllim që qytetarët të jetojnë në qetësi e paqe dhe që të ketë zhvillim ekonomik për të gjithë, sepse atëherë problemet politike do të ishin më të vogla.
“Kam takuar kryetarin e komunës në veri dhe kam kërkuar nga ai që të punojmë së bashku për të mirën e të gjithë qytetarëve, që të shikojmë nga e ardhmja dhe të zhvillojmë qytetin në të dyja anët e lumit, sepse këtë e kemi obligim dhe për këtë na ka zgjedhur populli. Në këtë mënyrë do të dërgonim një mesazh të mirë për qytetarët, por edhe në Bruksel dhe Uashington, se ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre”, tha Bahtiri.
Në anën tjetër, ambasadorja franceze, Maryse Daviet, tha se e vlerëson programin e kryetarit për Mitrovicën, sidomos gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë për zhvillimin ekonomik. Sipas saj, Qeveria e Francës mbështet bashkëpunimin e filluar në mes të dy komunave të Mitrovicës dhe se këto duhet të jenë shembull për bashkëpunim dhe zhvillim në të mirë të qytetarëve.
“Sa i përket konferencës së investitorëve, është vërtetë një punë e mirë që po bëni dhe sigurisht se do të sjell rezultate. Unë do t’ ju mbështes fuqishëm në këtë drejtim dhe do të bisedoj me shumë investitorë që janë të interesuar për të investuar në Kosovë e Mitrovicë, në mënyrë që edhe ata të jenë prezent këtu”, ka thënë ambasadorja Daviet.