Qeveria nëpërmjet zv.kryeministrit Kuçi, përsëriti qëndrimin kundër themelimit të një tribunali ndërkombëtar që do merrej me krimet e supozuara që mund të kenë ndodhur gjatë luftës nga UÇK. Ekspertët thonë se argumenti se ka dështuar Kosova për ti gjykuar rastet nuk qëndrojnë,për shkak se kompetencat ekzekutive për hetimet dhe gjykimet e krimeve të luftës i kanë pasur dhe ende i kanë ndërkombëtarët.
Kosova ka institucionet e saj të drejtësisë dhe themelimi i një tribunali për krime të luftës është i panevojshëm në vendin tonë. Kështu deklaroi zv.kryeministri Hajredin Kuçi, derisa u dha përgjigje disa raportimeve në media se bashkësia ndërkombëtare tashmë po negocion me Qeverinë e Kosovës për hapjen e një tribunali për gjykimin e rasteve të krimeve, që supozohet që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën e luftës. “Kosova ka institucionet e saj të drejtësisë”, tha ai.
Zv/Kryeministri Hajredin Kuçi po ashtu mohoi se Qeveria e Kosovës është duke negociuar me bashkësinë ndërkombëtare për themelimin e këtij tribunali në Kosovë. Ndërkohë, njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se argumentet që vijnë për këtë, se ka dështuar gjyqësori kosovar, janë të papranueshme sepse kompetencat ekzekutive në gjykimet e këtyre rasteve i ka pasur prania ndërkombëtare.