Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndryshimin e disa projektligjeve lidhur me mandatin e EULEX-it, misioni i të cilit pritet të përfundojë më 15 qershor 2016.
Në prezantimin e Projektligjit rreth mandatit të EULEX-it, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo nënkupton se janë krijuar kushtet për të ushtruar sovranitetin e tyre gjyqtarët e prokurorët vendor, si dhe është shenjë e pjekurisë së Kosovës dhe forcimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot, që më 23 prill, të mbahet seanca e radhës e Kuvendit, në të cilën do të diskutohet për çështjen e mandatit të EULEX-it.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit do ta kenë si rend dite projektligjin për ndryshimin e mandatit të EULEX-it, ndërsa ende nuk kanë material për Gjykatën speciale.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se materiali për themelimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së ende nuk ka arritur.
Kurse, Visar Ymeri, ka thënë se VV-ja e kundërshton mandatin e EULEX-it dhe krijimin e gjykatës, të cilës thotë se nuk ia di as emrin.