Jurgen Gjasula dhe Valdet Rama, me shumë gjasa, do të largohen nga skuadrat e tyre në fund të këtij edicioni.
Edhe ditën e djeshme Gjasula nuk u grumbullua nga trajneri i Litexit, Miodrag Jesiq, në fitoren 5:0 të kësaj skuadre si mysafire ndaj Lokomotiv Plodviv.
Mesfushori nuk shihet më si pjesë e planeve të trajnerit serb, ndaj nisur edhe nga informacionet nuk do t’i rinovohet kontrata edhe për edicionin tjetër në Bullgari.
E njëjta situatë pak a shumë edhe në Spanjë te Valladolidi, ku luan Valdet Rama. Mesfushori i avancuar i Kombëtares shqiptare ka më shumë se një muaj që nuk luan një ndeshje me këtë skuadër dhe për më tepër nuk grumbullohet as në 18-she.
Lojtari kosovar me pasaportë shqiptare është kërkuar para pak kohësh edhe nga Beshiktashi në Turqi dhe me gjasa bisedimet me drejtuesit e këtij klubi do të vijojnë gjatë merkatos së verës.