Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola, ka kërkuar nga Franck Ribery që të bëjë paraqitje ‘arrogante’ kundër Real Madridit të martën mbrëma.
Kampioni i Evropës do ta zhvillojë ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Allianz Arena dhe i duhet fitorja, pasi përballjen e parë e humbi me rezultat 1-0.
“Franck Ribery është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ne. Ai është duke luajtur te Bayerni më gjatë sesa jam unë këtu”.
“Jam i kënaqur nëse ai luan mirë, me energji dhe motivim. Nganjëherë i nevojitet arroganca dhe jam i sigurt se do të luajë shumë mirë nesër (e martë)”.
“Te ai është i pranishëm shpirti luftarak. Ai gjithmonë dëshiron të luftojë, prandaj njerëzit e duan. Është njëri nga lojtarët më fantastikë në histori të Bayernit”, u ka thënë Guardiola gazetarëve.