Home LAJME Rrëfimi prekës për Arlindin: Zviceranët protestojnë kundër dëbimit, e dashura do ta...

Rrëfimi prekës për Arlindin: Zviceranët protestojnë kundër dëbimit, e dashura do ta shpëtojë!

Rasti i të riut 17 vjeçar Arlind Lokaj, të cilin autoritetet e kantonit të Tesinës kanë vendosur ta dëbojnë për në Kosovë, vitin e kaluar pati bërë bujë të madhe në mesin ku jeton. I riu i lindur në Locarno, i cili me nënën e tij jeton në Giubasco, këtu e ndjen se është në vendin e tij. Por, kështu nuk mendojnë zyrtarët e shtetit.

Kur Arlindi ishte tre vjeç, babai i tij i ndarë nga bashkëshortja, ndërsa e kishte rrëmbyer atë bashkë me tre vëllezërit e motrat për në Kosovë. Babai ua kishte ndaluar fëmijëve për dhjetë vite çdo kontakt me nënën e tyre.

Në vitin 2010, Arlindi dhe Artina lejohen të vizitojnë nënën në Zvicër. Por, nëna nuk kishte të drejtë t`ua rregullonte qëndrimin! Sipas autoriteteve, ajo këtë është dashur ta bënte më herët.

Artina tashmë është detyruar të kthehet në Kosovë. Ndërsa, kur ishte marrë vendimi për dëbimin e Arlindit, me të ishin solidarizuar qindra vendës të cilët kishin dalë në protesta. Sipas tyre, ai nuk kishte ku të jetonte në Kosovë.

Dëbimi ishte shtyrë për shkaqe shëndetësore. Por, këtë javë vendimi është bërë përfundimtar, shkruan Tagesanzeiger.

Tash sërish janë paraqitur miqtë e tij dhe një lëvizje e gjerë qytetarësh të gatshëm për t`u solidarizuar me Arlindin. Ata e mbrojnë të riun pasi, sipas tyre, ai nuk ka ku të shkojë. Babai i tij tashmë ka krijuar familje tjetër dhe ka fëmijë tjerë. Te motra më e vjetër ai nuk mund të banojë, ndërsa vëllai dhe motra tjetër jetojnë në Zvicër ku janë martuar.

Për mbetjen e të riut kosovar në Zvicër janë angazhuar pothuaj të gjitha partitë në Tesinë. Kështu SP/PS, CVP/PDC, FDP dhe të Gjelbrit në një mocion parlamentar kanë kërkuar të drejtën e qëndrimit në Zvicër për Arlindin. Por, as kjo nuk ka bërë punë.

Ndërkohë që miqtë e Arlindit dhe politikanët, kryesisht nga spektri i majtë, ndjehen të zhgënjyer, duket se zgjidhja për rastin vjen nga një drejtim tjetër: e dashura e Arlindit, një zvicerane, planifikon të martohet me të në momentin kur ai të mbush 18 vjet!

Previous articleTrafikantëve të 15 viktimave shqiptare të tragjedisë së Tisës, 55 vjet burgim
Next articleMjeku shqiptar nga Kosova, shpëton nga vdekja fëmijën katërvjeçar gjerman