Rreziqet e operacioneve plastike

Kirurgjia plastike estetike dhe ndërhyrjet e çdo lloji, kanë thyer tabutë dhe frikën e dikurshme në vendin tonë.

Sot çdo person që nuk është i kënaqur me një tipar nga vetja, kryen një ndërhyrje estetike, edhe pse kostot e një operacioni të tillë janë të larta. Duke ju referuar mjekëve specialistë të fushës, numri i personave që kryejnë operacione të tilla kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Ajo që është evidentuar nga mjekët është se këto ndërhyrje nuk quhen më si luks dhe nuk kryhen vetëm nga personat të quajtur “VIP” por edhe nga njerëz me të ardhura normale,realizohen në kushte optimale dhe jo në qendra estetike. “

Kushtet higjienike në të cilat duhet të realizohet një operacion plastik janë të njëjta me ato që do duheshin për çdo operacion tjetër, mungesa e tyre do të sillte komplikacione të mëdha. Sipas specialisteve, “jo vetëm operacionet që kanë një rrezikshmëri dhe kosto të lartë por edhe ndërhyrjet estetike si buzët,mollëzat dhe botoksi duhen kryer në klinika dhe jo në parukeri”.

Rritja e numrit të personave që kryejnë këto operacione, është pasuar edhe me një sërë abuzuesish që kryejnë ndërhyrje dhe realizojnë operacione jashtë kushteve higjienike duke rrezikuar jo vetëm rezultatet e operacioneve por edhe jetën e vetë personave që i kryejnë ato.

Ndërhyrjet më të shpeshta që realizohen në vendin tonë, janë ato të heqjes së dhjamit, zmadhimi i gjoksit, ndërhyrjet në hundë, liftin i fytyrës otoplastika apo blefaroplastika. Personat që i drejtohen kirurgjisë plastike varjojnë nga 18 deri në 60 vjeç, pasi këshillohet që këto ndërhyrje të realizohen pasi individët të kenë kaluar moshën e rritjes dhe të jenë në moshë madhore.