Loret Sadiku do t’i mbetet besnik Kosovës. Mbrojtësi i Helsingborgut, nuk do t’i kthehet Kombëtares shqiptare, ashtu siç kishte thënë përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi. 22-vjeçari ka pasur një takim të hënën me përzgjedhësin Albert Bunjaku, derisa ky i fundit thotë se Sadiku nuk do të largohet nga Kosova. Bunjaku ka takuar edhe mesfushorin tjetër të Helsingborgut, Ardian Gashin.
“Po natyrisht, Loreti do të jetë me në. Ai është figurë qendrore në mbrojtje. Unë sot isha në Helsingborg ku bisedova me Ardian Gashin e Loret Sadikun. Ardhja e tyre varet vetëm nga klubi, nëse i liron”, ka thënë Bunjaku të hënën për Arenën. Bunjaku është duke u marrë edhe me një punë tjetër. Këtë herë po negocion me drejtuesit e klubeve të Skandinavisë, për t’ia liruar lojtarët.
Në vendet skandinave, kampionatet nuk pushojnë më datat 21 e 25 maj, kur Kosova sfidon Turqinë dhe Senegalin. “Sot (e hënë) isha në Helsingborg dhe takova Gashin e Sadikun. Kam udhëtuar me makinë 780 kilometra, ku pata takim me shefin e klubit të Helsingborgut dhe trajnerin. Jam duke u munduar të gjejmë mirëkuptim. Nuk do të jetë e lehtë t’i bindi, por nuk do të dorëzohem deri më 19 maj”, shtoi i pari i bankinës së Kosovës. /Tribuna/