Mbështetja për Presidentin amerikan Barack Obama ka rënë, gjë që ka shqetësuar demokratët në kohën e përgatitjes së tyre për zgjedhjet e Nëntorit.
Sondazhet e fundit, të publikuara nga gazeta “Washington Post” dhe kanali televiziv “ABC News”, tregojnë se është shënuar rekordi më i ulët prej 41%, ndërsa ai i “Wall Street Journal” dhe kanalit “NBC”, se mbështetja për politikën e Jashtme është 38%.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë po përballet me shumë sfida në fushën e politikës së Jashtme, ku përfshihet Ukraina Lindore dhe konflikti në Siri.
Senatorja republikane Kelli Ajot i bën thirrje Presidentit, për qasje më të ashpër ndaj këtyre çështjeve. “Jam e zhgënjyer nga reagimi i dobët i administratës dhe unë mendoj se është koha për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ekonomike ndaj sektorëve të ekonomisë ruse” – thotë ajo.
Analisti Xhon Sajds thotë se “vlerësimet e ulta për Presidentin në anketat e fundit mund të jenë problematike për kandidatët demokratë në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin”. Kjo do të thotë se disa demokratë do të distancohen nga Presidenti, për të fituar zgjedhjet në Nëntor.
Presidenti Obama bëri shaka mbi këtë çështje në darkën e korrespondentëve që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë.
“Njerëzit thonë se anketat tregojnë se mbështetja për mua është në rënie, miqtë e mi demokratë nuk duan që unë të bëjë fushatë me ta. Unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë, edhe pse dje e vura re se Sasha kishte nevojë për një zëdhënës në ditën e karrierës dhe ajo ftoi Bill Klintonin”.
Demokratët po anojnë nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, për të bërë fushatë në emër të tyre këtë vit dhe ajo mund të përfitojë nga kjo, nëse vendos të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.