Home LAJME Shkaktoi vdekjen e 7- vjeçares, mjeku lirohet si i sëmurë mendor

Shkaktoi vdekjen e 7- vjeçares, mjeku lirohet si i sëmurë mendor

Mjeku nga Përmeti, Faik Pashollari, i cili u akuzua për mjekim të pakujdesshëm, çka shkaktoi vdekjen e një vajze 7- vjeçare, Era Beollari, është lënë i lirë.

Gjykata, bazuar në një ekspertizë mjeko- ligjore, të hartuar nga një klinikë private, liroi mjekun me pretendimin se vuante nga shëndeti mendor.

Familja Beollari denoncoi për Ora News skandalin, duke thënë se me këtë vendim gjykata i ka vrarë për herë të dytë, pas humbjes së vajzës së tyre vetëm 7 vjeçe.

Më 13 gusht të vitit 2012 kjo familje humbi vajzën 7- vjeçare, Era Beollari, nxënëse e klasës së parë.

“Prokurori kërkoi të dënohet me burgim të përjetshëm për mjekim të pakujdeshëm. Gjykata thotë se është fajtor, por e dënoi vetëm me një vit. Gjyqtarja Ornela Maqellari është e korruptuar. Ajo pezulloi dënimin me burgim me një periudhë vënie prove për 18 muaj”, shprehen familjarët e vajzës.

Një nga faktorët që e ka ndihmuar gjyqtaren të dalë në këtë përfundim, sipas babait të vajzës, Hekuran Beollari, është se vetem disa ditë përpara se të jepej vendimi, në seancë gjyqesore avokati i të pandehurit paraqiti një dokument, i cili e cilëson doktorin e akuzuar si njeri me probleme psiqike.

“Avokati i tij thotë se i pandehuri është psikopat. Dhe gjyqtarja u mbështet në këtë vendim jo në ekspertizën e institutit të mjekësisë ligjore, por të disa mjekëve”, thotë i ati.

Previous articleYanukovych akuzohet për vjedhjen e 100 miliardë dollarëve
Next articleDASH: Kosova – progres në masat kundër-terroriste