Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar (AAPSK), ka përfunduar takimin dy ditorë me agjencitë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit nga prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës si dhe atyre të EULEX-it.
Objektivi i këtij takimi, bëhet e ditur se ka qenë njohja e zhvillimeve të fundit në kontekstin e Bashkimit Evropian mbi fushën e konfiskimit si dhe menaxhimit të përfitimeve nga veprat kriminale përmes Zyrave për Rikthimin dhe Menaxhimin e Aseteve, bënë të ditur një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj konference është propozuar që të rritet bashkëpunimi dhe komunikimi midis shteteve të Ballkanit Perëndimor duke krijuar një rrjet joformal rreth Zyrave për Menaxhim të Aseteve që do të quhet Rrjeti i Agjencive për Menaxhimin e Aseteve në Ballkan (BARIN).
Kryeshefi i AAPSK-së, Rrahim Rama, i cili ishte njëkohësisht edhe kryesuesi i këtij takimi, thuhet se ka propozuar që ky forum të vazhdoj të mbahet çdo vit nëpër secilin shtet të Ballkanit si dhe ka marrë përsipër strukturat e nevojshme për ta mbështetur këtë iniciativë.
Përfaqësuesit nga Republika e Maqedonisë kanë ofruar të jenë nikoqirë të takimit të përbashkët në vitin e ardhshëm.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Mali Zi dhe Maqedonia.
Dy shtetet fqinjë, Bosnja dhe Serbia, nuk kanë mundur të marrin pjesë mirëpo do të ftohen të jenë pjesë e këtij forumi.