Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, është angazhuar si ligjërues në programin e Avancimit të Kualifikimit të Mësimdhënësve (AKM), i cili udhëhiqet nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë dhe nga UP-ja. Një vend në këtë program i është bërë edhe paraardhësit të tij, ish-rektorit Mujë Rugova.
Të dy janë zgjedhur pothuajse nga i njëjti Bord i AKM-së, i cili në kohën sa ishin rektorë, kryesohej prej tyre.
Angazhimi i tyre është bërë përkundër shkeljeve dhe parregullsive, që janë shënuar në kohën sa kanë udhëhequr universitetin.
Ish-rektori Gashi me profesion është historian dhe në universitet ligjëron lëndët histori e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politika e jashtme dhe diplomacia.
Ndërsa, bazuar në listën të cilën e ka siguruar Koha Ditore, ish-rektori Gashi është zgjedhur ligjërues te pakoja e lëndëve strategjitë ndërvepruese në mësimdhënie, në programin fillor.
Ai do t’i zhvillojë 9 ligjërata për një javë dhe ato do t’i mbajë në Prizren.
Duke pasur parasysh se një orë e këtij programi paguhet 25 euro, për një muaj Gashi do t’i marrë 900 euro, që i bie sa 90 për qind e pagës bazë si mësimdhënës.
Ish-rektori Rugova te pakoja e lëndëve kimi-fizike është zgjedhur ligjërues në lëndët biologji-kimi. Ai me profesion është kimist. Prej këtij angazhimi Rugova do të fitojë një honorar prej 300 eurosh, meqë brenda javës do t’i mbajë 3 orë në Prishtinë.