Të akuzuarit potencialë në Gjykatën Speciale për Krime Lufte, të paktën mund të flenë rehat sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen e tyre. Për këtë çështje do të përkujdeset shteti ndërsa Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka ndërmarrë nismë që këtë proces ta mbështesë me ligj.
Në mbledhjen e së premtes kabineti qeveritar ka miratuar dhe proceduar dokumentin në fjalë, derisa ai u jep të drejtë të gjithë të akuzuarve që të bëjnë kërkesë për mjetet financiare, pa precizuar shumën e tyre.
Në kopjen e këtij ligji, qw e posedon Tribuna, nuk jepen shumë detaje për format dhe mënyrat e pagesës, por sqarohet se këto veprime duhet të ndërmerren me akte nënligjore dhe vendimet të veçanta të Qeverisë.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, derisa ka prezantuar ligjin, ka sqaruar se ky dokument do ta lehtësojë rregullimin e mbrojtjes nga shteti për të akuzuarit.
“Duhet të jetë një kompensim për vizitat e familjareve të tyre, po ashtu duhet të jetë një kompensim për personat që shpallen të pafajshëm për kohën e qëndrimit. Pastaj me një udhëzim administrativ do të rregullohet mënyra e financimit dhe menaxhimit nga Qeveria e Kosovës dhe të mbikëqyret nga komisioni parlamentar për shpenzimet publike”, ka thënë Kuçi.