Viti 2014 duket se nuk ka nisur mirë për Kosovën në aspektin ekonomik. Statistikat ekonomike po tregojnë se vendit kanë filluar t’ia kthejnë shpinën investimet.
Madje, gjatë tre muajve të parë të këtij viti ka shënuar rënie edhe hapja e ndërmarrjeve të reja. Kësisoj, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 190 ndërmarrje më pak se në kohën e njëjtë të vitit 2013. Që në përqindje i bie rënie për 6.1%.
“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 912 ndërmarrje. Rënie prej 6.1% e bizneseve të reja vërehet krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2013 gjithsej janë regjistruar 3 mijë e 101 ndërmarrje”, thuhet në raportin e ASK-së.
E, këto shifra po i shohin si fakt shqetësues njohësit e ekonomisë. Ata po thonë se këto të dhëna tregojnë se Kosova nuk është joshëse për investime dhe, sipas tyre, fajet i ka klima jo e favorshme që është aktuale në vend..