Shtypja e gjakut – çka të ndërmerrni

Matja e rregullt e shtypjes së gjakut, mund të parandalojë pasojat. Por, si mund ta ulni dhe pse është e rëndësishme ta kontrolloni rregullisht.

Ushtrimet fizike, siç janë joga, vrapimi, të ecurit e shpejtë, notimi, çiklizmi etj., që përbëhen nga lëvizje të përsëritura të shumë muskujve me mungesë të forcave të rezistencës; nëse aplikohen të paktën tri herë në javë nga gjysmë ore ose më shumë, janë në gjendje ta ulin tensionin arterial.

Zvogëlimi i peshës trupore konsiderohet një mjet efikas dhe pa efekte anësore për uljen e vlerave të tensionit arterial. Mund të thuhet se me një kilogram të humbur arrihet ulja e presionit për një mmHg. Kështu që një njeri që është 10 kg mbi peshën ideale dhe ka një presion që është 10 mmHg mbi vlerat optimale, në qoftë se arrin peshën ideale do t’i rikthehen edhe vlerat optimalë të shtypjes së gjakut.

Ulja e sasisë konsumuese të alkoolit, pa dyshim se luan një rol të madh në kontrollin e vlerave të tensionit tek njerëzit që normalisht e përdorin atë, transmeton Telegrafi.

Efekti favorizues i duhanit në arteriosklerozë është dokumentuar te vdekjet nga kardiopatitë ishemike dhe vaskulopatitë cerebralë te duhanpirësit e mëdhenj. Ndalimi i duhanit, pavarësisht nga efektet mbi tensionin arterial zvogëlojnë rrezikun kardiovaskular tek pacientët me hipertension. Numri i madh i të sëmurëve me hipertension tek duhanpirësit sugjeron një rol të rëndësishëm të duhanit tek kjo lloj sëmundje.

Edhe dieta luan një rol të rëndësishëm dhe duhet t’i kushtohet rëndësi në rastet me hipertension arterial. Studimet tregojnë se duke rritur konsumin e kaliumit, sepse ai është një nga jonet kryesore të organizmit tonë. Disa ushqime që përmbajnë kalium: salcë domateje, çaj, kafe, soja e thatë, pluhur soje, qumësht, fasule, kajsi të thata, pjeshkë të thata etj. Djersitja e tepërt, diarreja dhe vjellja që shkaktojnë humbje lëngjesh, mund të prishin dhe ekuilibrin e përqendrimit të kaliumit dhe joneve të tjera në gjak.