Skandali i fundit për falsifikim dokumentesh të udhëtimit, për të siguruar në mënyrë të jashtëligjshme viza Shengen në Ambasadën Italiane në Prishtinë, në të cilin është i përfshirë edhe deputeti Ukë Rugova, do të ketë efekt negativ në procesin e liberalizimit të vizave.
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe njohësit e proceseve integruese pranojnë se skandalet e tilla nuk përçojnë mesazhe të mira për Kosovën në Bashkimin Evropian dhe se mund të shkaktojnë prolongimin e procesit të liberalizimit të vizave për shkak se mund të ngrihen dyshimet se vendi po kalon nëpër procese jo të rregullta.
Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, pranon për gazetën “Zëri” se lajmet e tilla krijojnë perceptime negative për Kosovën, por, sipas saj, kjo nuk do të ndikojë direkt në liberalizimin e vizave.
“Lidhje të drejtpërdrejtë me procesin e liberalizimit të vizave nuk ka, këtu në fund është dëshmuar që ka funksionuar prokuroria dhe policia, ndërkohë që gjyqësia do të japë fjalën e fundit”, ka thënë Çitaku.
Megjithatë ajo ka shtuar se fakti që një deputet përfshihet në ngjarje të tilla krijon ambient më të pafavorshëm për vendin. “Lajmet si ky, ku një deputet dyshohet të jetë i përfshirë nuk janë gjë e mirë, por siç e thashë edhe më parë prodhojnë perceptime negative dhe e rritin skepticizmin te Komisioni Evropian dhe te vendet anëtare të BE-së, por në praktikë, procesi i liberalizimit të vizave ndërlidhet me përmbushjen e kritereve, e lajmet si ky e krijojnë një ambient më të pafavorshëm natyrisht”, është shprehur Çitaku.
Ndërsa profesori universitar, Afrim Hoti, ka thënë se skandalet e tilla e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe se nëse nuk kanë ndonjë ndikim më të madh, atëherë të paktën e prolongojnë procesin e liberalizimit të vizave.
“Mendoj që nëse për asgjë tjetër nuk ka ndikim, të paktën do të ketë ndikim në prolongim, sepse në rrethana normale procesi do të duhej të kalonte me kontrolle të zakonshme, nëpër të cilat kanë kaluar shtetet tjera, në rastin e Kosovës do të kalohet nëpër kontrolle të detajuara, sepse të paktën humbet besimi, apo krijohet dyshimi që procesi ka qenë i parregullt dhe si i tillë, nëse asgjë tjetër të paktën sjellë vonesa”, ka deklaruar Hoti.
Njohësi i proceseve integruese, Emrush Ujkani, ka thënë se arrestimet e fundit nën dyshim për falsifikim të vizave nuk beson që do të ndikojë në shtyrjen e procesit të liberalizimit të vizave, por e dëmtojnë imazhin e Kosovës.
“Nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt direkt, mirëpo imazhin e Kosovës e dëmton sepse mjafton që një zyrtar i këtij vendi të jetë i involvuar në një skandal të tillë, ky përçon jashtëzakonisht një mesazh shumë të keq, krijohet një imazh shumë i keq jo vetëm për BE-në, por për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, ka përfunduar Ujkani.
Përndryshe, efekte negative në procesin e liberalizimit të vizave ka pasur edhe skandali me pasaporta biometrike, ku zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dyshohet se ia kanë marrë 1.4 milionë euro korrupsion kompanisë austriake, e cila e kishte fituar tenderin. shkruan, zëri. /RadioRINIA/