Sot është Dita Botërore për Ndërgjegjësimin ndaj Autizmit, e cila ngjarje do të shënohet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme nga institucionet shtetërore dhe shoqata që kujdesën për të prekurit nga kjo sëmundje.
Autizmi është një sëmundje, që prek më së shumti fëmijët e moshës 1-2 vjeç. Ajo ka njohur rritje vitet e fundit në botë, ndërkohë që mjekët vënë theksin tek kapja në kohë e kësaj sëmundje.
Fëmijët kosovarë që vuajnë nga autizmi, ballafaqohen me probleme të ndryshme, duke filluar nga procesi i diagnostikimit, e deri te rehabilitimi i tyre.
Sipas organizatave joqeveritare, numri i fëmijëve kosovarë që vuajnë nga autizmi, llogaritet të jetë afër 500, edhe pse statistikat zyrtare mungojnë.
Ndërsa, statistikat në botë tregojnë se ndër 150 fëmijë të lindur, një nga ta është i prekur me këtë sindromë, që shkakton çrregullime të mëdha në zhvillimin e fëmijës.
Ditën Botërore, 2 prilli, e vendosur nga Kombet e Bashkuara në 2007, apelohet për rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin, si një çështje globale e shëndetit publik me theks të veçantë në diagnostikimin dhe ndërhyrjen e hershme.
Autizmi, u identifikua si sëmundje në 1943, është një term i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar një grup kompleks çrregullimesh në zhvillimin e trurit, çrregullime të spektrit autik (ÇSA), shkaktuar nga një kombinim i ndikimeve gjenetike dhe të ambientit. Këto çrregullime karakterizohen, në shkallë të ndryshme, nga mospranime sociale ose të sjelljes, sikurse nga sjellje përsëritëse, transmeton KP.
Autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës dhe mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh.
Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj.
Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese.