Home Uncategorized “Talia” vazhdon me shfaqjen e shkupjanëve “Gishti”

“Talia” vazhdon me shfaqjen e shkupjanëve “Gishti”

foto nga shfaqja e mbremshmeGjilan – Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës” që po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”, ka vazhduar me shfaqjen “Gishti” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me tekst të Doruntina Gashit, regji të Agon Miftarit dhe lojën skenike të aktorëve Armenis Jovanovska-Nokshiqi, Zarije Jonuzi e Drita Kaba. 

“Gishti” është dramë e tragjedisë familjare që trajton jetën dhe peripecitë e një nëne dhe të një bashkëshorteje, pas zhdukjes së djalit, përkatësisht bashkëshortit të saj, gjatë luftës së vitit 1999. Duke pritur që ai të kthehej, vjehrra dhe nusja jetojnë mes akuzave dhe rivalitetit dhe ndajnë dhimbjen e humbjes së njeriut të tyre, në përpjekje për t’u pajtuar me të vërtetën.

Kryepersonazhi Zoja (Armenis Jovanovska-Nokshiqi), në këtë tragjedi familjare nuk pajtohet që djali i saj nuk jeton më dhe mllefin për këtë humbje e shpreh herë pas here ndaj nuses së tij, Shkurtës (Zarije Jonuzi). Zoja në fund të ngjarjes kërkon nga nusja që ta lëshojë shtëpinë, pasi nuk mund ta duronte duke i thënë vazhdimisht se djali i saj nuk do të kthehej kurrë më.

Regjisori Agon Myftari, ka thënë nënvizuar se, jo gjithmonë gjërat që duam t`i kujtojmë, detyrimisht na kujtohen, kurse ato që duam t`i harrojmë, arrijmë që t`i shlyejmë përgjithmonë nga kujtesa. Lufta pa dyshim që ka lënë gjurmët e veta tek secili prej nesh, në forma të ndryshme dhe sado që me kohë plagët mund të shërohen, gjithmonë do të mbeten shenja në trupat dhe shpirtrat tanë.

Drama “Gishti” flet për plagët fizike, siç është prerja e gishtit, por edhe në një rrafsh të plagëve dhe gjakderdhjeve të padukshme shpirtërore që marrin gjatë kohës për t`u shëruar krejtësisht. Duhet të kuptojmë rëndësinë e kthimit nga vetvetja, për t`u përballur me gjerat që na takojnë neve e që janë pjesë e historisë, kulturës dhe të së përditshmes tonë.

Drama të tilla, ndonëse pikënisje kanë historinë individuale dhe kolektive të jetës sonë, janë po ashtu aq universale dhe gjithënjerëzore sa arrijnë të prekin thellë shpirtin e çdo njeriu.

Sonte (e mërkurë), natën e tretë, në kuadër të Festivalit të Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, që po ndiqet me shumë interesim nga publiku gjilanas, aq sa nuk po arrin as t`i zë salla e Teatrit të qytetit në Gjilan, shfaqet drama “Shembja e Kullës së Ajfelit” e Qendrës Multi Media Prishtinë, e autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj.

Nesër (e enjte) vjen “Dëshmitari” i Teatrit Kombëtar të Kosovës, e autorit Selam Taraku, ndërsa pasnesër (e premte), kur edhe mbyllet Festivali “Talia e Flakës”, prezantohet Teatri “Metropol” i Tiranës, me shfaqjen “Tri mendje në ankand”, të Ferdinand Hysit dhe regji të Elma Doresit.  /RadioRINIA/

Previous articleTeuta Kurti po rikthehet
Next articleHaziri: Njerëzit e artit do t’i përkrah me gjithë kapacitetin tim