Të mirat e një gote qumështi

Jeni në dietë? Mos hiqni dorë nga qumështi, duke menduar se ka shumë kalori, sepse vetëm pirja e rregullt e tij mund t’ju bëjë që të bini më kollaj nga pesha.

Të pish një gotë qumësht në mëngjes do të thotë që ke pirë ilaçin për mbrojtjen nga dhjetëra sëmundje. Studime të bëra në vende të ndryshme të botës kanë arritur në përfundimin se pirja e qumështit ka shumë efekte pozitive për trupin e njeriut.

Qumështi mbron nga kanceri i zorrës

Konsumimi i rregullt i qumështit mbron nga rreziku për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë. Studiuesit amerikanë kanë analizuar të dhëna të pothuajse 500 mijë personave të mbledhura nga studimet e mëhershme. Rezultatet e analizave kanë treguar se personat të cilët pinë 400 mililitra qumësht çdo ditë kanë 12 për qind rrezik më të zvogëluar për t’u prekur nga ky lloj i kancerit krahasuar me ata që nuk pinë qumësht. Kanceri i zorrës së trashë është lloji i tretë më i shpeshtë i kancerit në botë, ndërsa shkalla e prekjes nga ai dallon në vende të ndryshme, që mund të shpjegohet edhe nga ndryshimi i shprehive në të ushqyer. Ndikimin pozitiv të qumështit shkencëtarët e shpjegojnë me veprimin e kalciumit, i cili më herët ishte dëshmuar se ka efekt mbrojtës. Vlerësohet se konsumimi i kalciumit në sasinë prej 1000 miligramësh në ditë, mund të ulë rastin e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë deri në 15 për qind te gratë dhe deri në 10 për qind te meshkujt.

 

Qumështi kundër sëmundjes së kockave

Të parandalosh osteoporozën, sëmundjen në skeletin e njeriut, është e mundur. Sipas specialistëve italianë të Universitetit të Firences, për të mos u prekur nga sëmundja e kockave duhet të pijmë një gotë qumësht në ditë. Kjo mund të zëvendësohet me 30 gram kaçkavall, që nëse do e llogarisim në formë të grirë është i barabartë me 4 lugë të vogla. Ky rekomandim vjen si rezultat i një takimi mbi osteoporozën, i organizuar nga Vëzhguesi i Shëndetit në Itali. Parandalimi, përtej tavolinës lidhet edhe me aktivitetin fizik, i cili nuk duhet të “braktiset” edhe kur je i ri. Kjo këshillë është e vlefshme sidomos për gratë që janë në prag të menopauzës. Nga qumështi dhe nënproduktet e tij, merret sasia e kalciumit që është e nevojshme për një organizëm të shëndetshëm, por nëse organizmi ka mangësi, mund të përdoren edhe ushqime të fortifikuara siç mund të jenë koset që shiten në treg.

 

Qumështi lufton diabetin

Qumështi dhe djathi janë aleatë të mëdhenj në parandalimin e diabetit të tipit 2. Është rezultati i një studimi të kryer në Shkollën Harvard të Shëndetit Publik në Boston. Hulumtuesit, të udhëhequr nga dr. Dariush Mozaffarian, kanë zbuluar produktet si djathi, qumështi dhe kosi jenë aleatë në luftën lundër diabetit të tipit 2. Pas shqyrtimit të 3.736 vullnetarëve për 20 vjet, duke pasur nën kontroll llojin dhe zhvillimin e sëmundjes, studiuesit kanë kuptuar se ka pasur një lidhje. Dhe kjo lidhje bën fjalë pikërisht për qumështin dhe produktet e qumështit. Faktikisht, personat që e konsumonin atë në një masë të caktuar kishin nivele të ulëta të kolesterolit dhe një rrezik më të ulët të diabetit me 60% më pak.

 

Dy gota qumësht në ditë për të rënë nga pesha

Jeni në dietë? Mos hiqni dorë nga qumështi duke menduar se ka shumë kalori, sepse vetëm pirja e rregullt e tij mund t’ju bëjë që të bini më kollaj nga pesha. Ky është konkluzioni i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, sipas të cilit, kush pi mesatarisht dy gota qumësht në ditë për dy vjet humb 5 kilogramë e gjysmë më shumë krahasuar me ata që nuk konsumojnë qumësht apo prodhimet e tij. Të dhënat erdhën pasi një grup kërkuesish izraelitë morën nën vëzhgim 300 burra dhe gra mbipeshë duke i vënë për dy vjet në një dietë me përbërje yndyrash, në një dietë mesdhetare apo në një regjim me pak karbohidrate. U pa se ata persona që kishin në dietë sasi më të madhe kalciumi pas dy vjetësh kishin humbur 5 kilogramë e gjysmë më shumë se sa të tjerët.

Hani më ngadalë, merrni më pak kalori

Njerëzit të cilët hanë më ngadalë, mund të reduktojnë dukshëm sasinë e kalorive të konsumuar gjatë vakteve kryesore. Ky është përfundimi i nxjerrë nga një studim i publikuar javën e kaluar në revistën shkencore mjekësore “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”. Kërkuesit amerikanë kanë përcjellë një grup të vogël të pjesëmarrësve, gjysma e të cilëve ishin me peshë normale dhe gjysma tjetër e mbipeshë. Ata janë vendosur në dy situata: një herë të hanë më ngadalë dhe një herë tjetër të hanë më shpejtë. Rezultati ka treguar se kur kanë ngrënë më ngadalë, pjesëmarrësit e të dyja grupeve (me peshë normale dhe të mbipeshë) kanë konsumuar më pak sasi të ushqimit dhe më pak kalori, edhe pse janë ngopur më shpejtë. Sipas autorëve, arsyeja mund të jetë te përcjellja e informatës në tru sa i takon ngopjes. “Një arsye e mundshme për këtë rënie të konsumimit të kalorive mund të jetë se gjatë ngrënies të ngadalshme njerëzit arrijnë më mirë të ndjejnë urinë dhe ngopjen”, – thotë autorja e studimit, Meena Shah, profesoreshë në Texas Christian University. Kur kanë ngrënë ngadalë personat po ashtu kanë konsumuar më shumë ujë, që ka bërë lukthin të fryhet më shumë.