Kuvendi i të Rinjve të Kosovës, për të shënuar ditën ndërkombëtare të punës, përmes një aktiviteti, “ju keni të drejta, andaj veproni!”, po synojnë të vetëdijësojnë të rinjtë për të drejtat e tyre për punësim, dhe të punësuarit për të drejtat e tyre që i garantohen me Ligjin e punës.
Kryetari i këtij Kuvendi, Leutrim Sahiti, shprehet i shqetësuar me kushtet e punës së punëtorëve, sidomos në sektorin privat, për shkak se ekziston një numër i madh i atyre që punojnë pa kontratë të punës, duke vlerësuar se ata kanë të drejtën të kenë kontratat, të marrin pagat me kohë, pushimin e lehonisë, e të drejtën e organizimit sindikal.
Sipas tij, të gjitha këto do të bëheshin me rritjen e numrit të inspektorëve të punës.
Sahiti bënë thirrje që mos të lejohen fëmijët të punojnë punë të rënda fizike, duke shprehur shqetësimin për numrin e madh të papunësisë së të rinjve.
“Të rinjtë duhet të angazhohen çdo ditë në përmirësimin e kushteve të tyre”, ka thënë Sahiti.
Aktiviteti është përkrahur edhe nga një grup i studentëve të ardhur nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë, për një seminar lidhur me të drejtat e punëtorëve dhe organizimin sindikal.
Ata thonë se çuditën nga mënyra e shënimit të ditës së një majit në Prishtinë, pasi që në vendin nga vijnë organizohen tubime për të folur për të drejtat e punëtorëve.
Gjatë ditës, të gjithë vullnetarët në aktivitetin e Kuvendit të Rinjve, do të vazhdojnë sensibilizimin e qytetarëve edhe në parkun Gërmia.